LURA
✤ Malësi në kufirin midis rretheve të Dibrës, Matit dhe Mirditës me majën më të lartë Kunora e Lurës (2121). Është e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë. Relievi është shumë i copëtuar nga përrenj malorë (Seta, Uraka, Malla e Lurës etj.). Ka gropa të gjera, si Fushë-Lurë, Lanë-Lurë, Krej-Lurë etj. Mbi lartësinë 1500-1600 m ruhen gjurmë të shumta të akullimeve të kuaternarit në trajtë cirqesh. Në shpatin L, i njohur me emrin Nezhda e Lurës, disa nga këto cirqe janë kthyer në Iiqene (12). Midis tyre më kryesoret janë: Liqeni i Madh, Liqeni i Zi, Liqeni i Luleve, Liqeni i Lopëve etj. L. ka klimë malore, me temp. mesatare vjetore 7.7°C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 1590 mm dhe e borës 118 cm (Stacioni i Fushë-Lurës). Është e veshur me pyje të dendura ahu deri në lartësinë 1600-1700 m dhe më lart me rrobull. Në Nezhdën e L. rritet me shumicë pisha e zezë, arneni i kuq dhe arneni i bardhë, që përzihen edhe me ahun. Mbi lartësinë 1800 m ka livadhe alpine. Ndër kafshët e egra takohen arinj, gjela të egër etj. Kunora e L. për bukuritë e saj të rralla, visoret e shumëllojshme malore dhe liqenet alpine, përbën një nga viset turistike më të njohura të vendit. Pranë liqeneve është ngritur një pikë turistike.
(Gj. G.)
✤ Fshat në rrethin e Dibrës (VP), në rrëzën VL të malit Kunora e Lurës. Qenara është Fushë Lura që përfshin edhe fshatrat: Gur Lurë, Borie Lurë, Lurë e Vjetër, Krej Lurë, Pregj Lurë, Arrmallë e Vlashaj, popullsia gjithsej 4890 banorë. Dëshmohet si vendbanim i lashtë nga gjetjet në Fushë-Lurë e Borie Lurë. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1966. L. është qendër e koop. së bashkuar «Gjok Doçi». formuar më 1968. Ka drejtim kryesor prodhimin blegtoral, rriten të imëtat dhe gjedhi. L. ka shkollë të mesme bujqësore, shtëpi kulture, muze, spital, shtëpi lindjeje, njësi tregtare e komunale.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lura
[cite]