MERCEOLOGJIA


MERCEOLOGJIA
✤ Disiplinë shkencore që studion vlerën e përdorimit të mallrave, duke e parë atë si tërësi vetish fizike, kimike, mekanike, mikrobiologjike dhe formash ndërtimi e paraqitjeje. Për t’i njohur më mirë mallrat, merceologjia i studion ato duke filluar që nga lëndët e para dhe procesi teknologjik i prodhimit e deri te mënyra e vlerësimit dhe e kontrollit të eilësisë, të ambalazhimit, transportit dhe ruajtjes së tyre. Krahas kësaj, ajo studion dhe përpunon metodikat për kontrollin, vlerësimin (organoleptik e laboratorik) dhe përmirësimin e cilësisë së mallrave. M. u zhvillua si disiplinë shkencore pas Çlirimit të vendit. Më 1952 në Teknikumin tregtar në Tiranë u hap dega e parë e merceologjisë me dy profile (industrial dhe ushqimor), që përgatiste specialistë të mesëm. Më 1963 u hap e para degë e merceologjisë (me profil «merceolog i përgjithshëm») pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të UT, dhe u ngrit katedra e merceologjisë. Në këtë mënyrë u formua bërthama e parë shkencore në fushën e merceologjisë dhe u krijuan të gjitha mundësitë për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm. Që nga 1967 dhe deri në korrik 1983, në vendin tonë janë përgatitur 550 specialistë të lartë merceologë.

(N. Pa.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Merceologjia


[cite]