MESOZOIKU
✤ Erë e historisë gjeologjike të Tokës, e përfshirë ndërmjet paleozoikut dhe kenozoikut që ka zgjatur në kohë rreth 160 milionë vjet (nga para 225 milionë deri para 65 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë eratemin mesozoik. Ndahet në periudhat (sistemet): triasi, jurasiku e kretaku. M. shquhet nga hapja e oqeanit të Tetisit në fillim dhe e atij Atlantik nga mbarimi i erës, nga veprimtaria e gjerë magmatike, nga malformimi, rrudhosjet e zhvendosjet e shumta tektonike. Në stere u zhvilluan dhe mbizotëruan zvarranikët gjigantë, dinosaurët, si dhe bimët farëzhveshura. Filluan të dalin shpendët dhe gjitarët e’ parë. Në dete u zhvilluan shumë jokërbishtorët, sidomos dy grupe butakësh, amonitet dhe belemnitet, të cilët, ashtu si dhe zvarranikët gjigantë, u zhdukën në mbarim të kësaj ere. Gjatë M. në Albanidet, si në të gjithë trevën mesdhetare filloi dhe u zhvillua eikli malformues alpin. Pjesa më e madhe e territorit mbulohej nga deti, përgjithësisht i thellë e vende-vende më i cekët. U formuan në fillim shkëmbinj sedimentarë terrigjenë dhe shkëmbinj strailorë e më vonë shkëmbinj karbonatikë, sidomos gëlqerorë e dolomite, herë-herë me prejardhje organogjene. Po gjatë M., si pasojë e hapjes së kores oqeanike të Tetisit, pati në fillim veprimtari vullkanike nënujore dhe. më vonë, gjatë jurasikut (shih) u formuan ofiolitet (shih). Në të njëjtën kohë filloi veçimi i zonave të ndryshme paleogjeografike të Albanideve, që sot përbëjnë zonat e veçanta tektonike të tyre. Lëvizjet tektonike më të fuqishme ndodhen në kalimin nga jurasiku në kretak dhe sollën si pasojë daljen mbi ujë të një treve të gjerë të Albanideve të brendshme, si dhe formimin e flishit të hershëm në perëndim të tyre. Gjatë M. janë formuar një pjesë e madhe e vendburimeve të xeherorëve ta Shqipërisë, si ata të kromit, bakrit, hekur-nikelit etj. si dhe është grumbulluar nafta parësore.
(M. Sha.-H. Dal.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mesozoiku
[cite]