MINIERAT


MINIERAT
✤ Tërësia e punimeve minerare, e ndërtimeve dhe e instalimeve në sipërfaqe e nëntokë për të nxjerrë mineralin e dobishëm nga një vendburim. Kur gërmimet kryhen vetëm në sipërfaqe, quhet M. sipërfaqësore ose M. në qiell të hapët, ndërsa kur kryhen kryesisht nëntokë emërtohet M. nëntokësore. M. në qiell të hapët kanë pamjen e një gërmimi të shkallëzuar me përmasa të mëdha, që vjen duke u ngushtuar drejt thellësisë. Në një M. nëntokësore dallohen tri kategori punimesh: punimet e hapjes, ku përfshihen puset dhe traverbankat, për të lidhur trupin e mineralizuar ose shtresën me sipërfaqen; punimet e përgatitjes, ku përfshihen galeritë e transportit, të ajrimit dhe oxhaqet e ndryshme, të cilat ecin gjatë trupit të mineralizuar ose shtresës dhe kanë si qëllim përgatitjen e tyre për shfrytëzim; punimet e shfrytëzimit që kryhen në trup ose shtresë për nxjerrjen e mineralit të dobishëm Në sipërfaqe dhe brenda këtyre punimeve bëhen një varg ndërtimesh dhe vendosen pajisje për rrëzimin e nxjerrjen nga nëntoka të mineralit të dobishëm, për lëvizjen e njerëzve, largimin e ujërave, si dhe dërgimin e energjisë e të lëndëve të ndryshme në minierë. Shfrytëzimi i mineraleve të dobishme në trualiin e Shqipërisë ka filluar që në lashtësi. Herodoti, Aristoteli etj. përmendin disa minerale të dobishme nga nëntoka e kësaj treve. Ilirët që nga shek. VI p.e.s. kanë nxjerrë nga nëntoka dhe kanë përpunuar një varg mineralesh të dobishme si bakrin, arin, argjendin, hekurin, serën etj. Të përmendur kanë qenë pirustët (shih). Perandori Trajan i Romës për shfrytëzimin e arit të Dacisë dërgoi atje minatorë ilirë. Ata kanë punuar edhe në M. e lashta të Austrisë. Gjatë mesjetës M. kanë tërhequr vëmendjen e pushtuesve të huaj, të Perandorisë Osmane e të Republikës së Venedikut. Sipas burimeve arkivale në afërsi të Vithkuqit kishte M. për shfrytëzimin e bakrit, në afërsi të Lezhës për arin dhe argjendin, në krahinën e Mirditës për bakrin etj. M. e serës e Selenicës (shih) është ndër M. e lashtësisë që vazhdojnë të jenë në shfrytëzim. Gjatë Luftës I Botërore specialistë të ushtrive pushtuese bënë studime të pjesshme dhe u vunë në shfrytëzim M. e qymyrgurit në Alarup, Mborje-Drenovë, Memaliaj dhe Kërrabë. Gjatë regjimit zogist u hapën disa miniera të vogla kromi në rrethin e Tropojës dhe të Pogradeeit, miniera e bakrit në Rubik dhe të tjera iu clhanë koncesion italianëve. Prodhimi ishte i vogël, ndërsa kushtet e punës së minatorëve shumë të rënda. Pushtuesit nazifashistë intensifikuan shfrytëzimin grabitqar të M. dhe kur u dëbuan shkatërruan gjithçka. Menjëherë pas Çlirimit, në dhjetor 1944 pushteti popullor mori masën e rëndësishme për shtetëzimin e të gjitha M. dhe organizoi degën e industrisë minerare. (shih). Numri i minierave është rritur vazhdimisht sipas detyrave të caktuara në planet pesëvjeçare. Hapja e M. tani bëhet mbi bazën e projekteve të rregullta, që paraprihen nga studime të gjithanshme gjeologjike. Rëndësi e veçantë i është kushtuar përmirësimit të kushteve të punës dhe lehtësimit të punës së minatorëve duke zbatuar teknikë të përparuar dhe me rritjen e shkallës së mekanizimit. Janë ngritur qytete të reja, të lidhur me M., si Memaliaj, Bulqiza, Kurbneshi, Përrenjasi etj.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Minierat


[cite]