MJEKËSIA LIGJORE
✤ Dega e mjekësisë që merret me studimin e me zgjidhjen e çështjeve mjekësore që dalin në praktikën hetimore-gjyqësore. Zbatimi në praktikë i saj quhet ekspertim mjekoligjor, përfundimet e të cilit shërbejnë si një nga burimet e provave gjyqësore. Objektet që studion M. L. janë personat, kufomat, provat materiale si dhe materialet e çështjeve hetimore e gjyqësore. Para Çlirimit, për shkak të prapambetjes në përgjithësi të shkencës mjekësore dhe të natyrës së sistemit që sundonte në drejtësi, nuk pati një shërbim më vete të M. L. Në Shqipëri në shtator 1953 u krijua për të parën herë shërbimi i ekspertimit mjekoligjor pranë Spitalit të Përgjithshëm Civil Tiranë, më 1957 — katedra e Mjekësisë Ligjore në Institutin e Mjekësisë, më 1961 — Byroja e Ekspertimit Mjekoligjor (instanca më e lartë e këtij shërbimi). Më pas u organizuan shërbimet e ekspertimit mjekoligjor në rrethet e vendit me specialistë përkatës.
(B. Çu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mjekësia Ligjore
[cite]