MJEKËSIA PARTIZANE


MJEKËSIA PARTIZANE
✤ Shërbimi shëndetësor që u organizua gjatë viteve të Luftës ANÇ për mbrojtjen e shëndetit të forcave luftarake. Në hapat e parë mungonin pothuaj krejt kuadrot e pajisjet mjekësore. U përgatitën nëpërmjet kurseve të posaçme një numër kuadrosh të ulëta, ndihmesë dhanë edhe studentët e mjekësisë dhe mjekët që u hodhën në luftë. Nëpërmjet aksioneve luftarake dhe ndihmës së popullit siguroheshin barnat dhe pajisjet më të nevojshme mjekësore. Populli siguroi strehimin dhe evakuimin e të plagosurve e të sëmurëve. Në mënyrë ilegale në spitalet e qyteteve u mjekuan mjaft partizanë të plagosur e të sëmurë. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ (17.8.1943) për kurimin e partizanëve të plagosur dhe të sëmurëve rëndë u krijuan spitalet partizane. Kjo datë merret si dita e themelimit të shërbimit shëndetësor ushtarak të Ushtrisë Popullore. Me këtë u plotësua struktura shëndetësore e reparteve partizane. U arrit të kishte edhe spitale me disa dhjetra shtretër si ai i Nikollarës, i Shëngjergjit etj. Megjithëse pajisjet e spitaleve partizane ishin të thjeshta, ushtrohej kirurgjia e luftës zakonisht për mjekimin e plagëve, por gjithashtu edhe për kryerjen e operacioneve më të ndërlikuara. Spitalet partizane kryenin edhe mjekime ambulatore për partizanët dhe popullin. Më 25.8.1944 spitali partizan i Gusmarit nxori një gazetë xhepi të daktilografuar «Pishtari i Lirisë», e cila është pionieria e shtypit mjekësor ushtarak në vendin tonë.

(L. Gjo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mjekësia Partizane


[cite]