MISRI
✤ (Zea mays L.). Bimë barishtore njëvjeçare, monoike e familjes gramore (Graminaceae), me kërcell të fortë e të lartë deri 7 m, në nyjat e të cilit vendosen gjethet heshtore e të këmbyera, me dy lulesa: melthin ose xhufkën në skajin e kërcellit që përmban lulet mashkullore dhe kallirin e përbërë që nxjerr lulet femërore, të mbështjellë nga lëpushat që ndodhen në ‘ sqetullën e gjethes. Kalliri mban kokrrat dhe lëpushat ngjyrë të verdhë e të bardhë dhe me madhësi të ndryshme në vartësi të nënllojeve e kultivarëve. M. përfaqësohet nga 9 nënlloje, prej të cilave dy (Zea mays indurata Sturt dhe Zea mays indentata Sturt) janë më të përhapura.
Përdorimi i M. në Shqipëri dëshmohet që në fillim të shek. XVII; mbilleshin popullatat e misrit të vendit. Pas Çlirimit u përdorën farat e seleksionuara e të tipizuara të nënllojeve indurata, indentata dhe aorista. Pas v. 1976, në gjithë sipërfaqen mbillen hibride të prodhuara në vend (kryesisht Rozafa) nga Instituti i Misrit dhe i Orizit (shih) dhe ILB. Kokrra e M. ka vlera ushqimore, është e pasur me amidon deri 16%, dekstrinë 2,5%, sheqer 2,2%, proteina bruto 7-10%, yndyrë bruto 4.16%, aminoacide dhe kripëra minerale të ndryshme; 1 kg kokërr kur metabolizohet prodhon 3864 kalori. Në kushte prodhimi të zonave të ndryshme të vendit janë arritur të merren rendimente të larta, në v. 1983 në zonën fushore u mor një rendiment mesatar prej 53.8 kv/ha. KTL Dajç (Shkodër) në 600 ha ka marrë mesatarisht 90.7 kv/ha, NB Vrina (Sarandë) në 420 ha 86 kv/ha, në koop. e bashkuar «Myslim Peza» (Tiranë) është arritur të merren 152 kv/ha.
(N.Q)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Misri