AGRESIONI FASHIST I 7 PRILLIT 1939


AGRESIONI FASHIST I 7 PRILLIT 1939
✤ Agresion i armatosur kundër Shqipërisë i ndërmarrë nga Italia fashiste më 7.4.1939 për të plotësuar qëllimet e saj imperialiste, për shndërrimin e Shqipërisë në koloni, për rrëmbimin e pasurive të vendit, shfrytëzimin e pozitës strategjike të saj, si dhe përdorimin e territorit shqiptar si bazë për robërimin e popujve të tjerë të Ballkanit. A. F. ishte pjesë e politikës agresive të shteteve fashiste për skllavërimin e popujve dhe për vendosjen e hegjemonisë botërore, që shpuri në shpërthimin e Luftës II Botërore (shih). Njëkohësisht ai ishte rezultat i qëndrimit kapitullues, antikombëtar e antipopulior të regjimit të A. Zogut (shih), si dhe i politikës së «mosndërhyrjes» të fuqive imperialiste të Perëndimit që u lanë dorë të lirë shteteve fashiste me qëllim që t’i drejtonin kundër Bashkimit Sovjetik. Fashistët italianë e përgatitën me kohë agresionin. Planin për pushtimin ushtarak të Shqipërisë B. Musolini e kristalizoi në fillim të v. 1938 pas takimit me A. Hitlerin, ku Mesdheu u quajt sferë e ndikimit italian. Më 8.1.1939 ai e miratoi planin e G. Çianos për pushtimin e Shqipërisë dhe më 23 mars Italia fashiste mori vendimin përfundimtar për të kryer agresionin. Më 26 mars qeveria e Romës i paraqiti A. Zogut një projekttraktat, që në fakt ishte një ultimatum paralajmërues për pushtimin e plotë të Shqipërisë nga Italia fashiste. A. Zogu dhe kiika e tij nuk morën asnjë masë për t’i bërë ballë rrezikut që. i kërcënohej vendit, por në të kundërtën, sabotuan qëndresën e armatosur popullore. Rreziku i drejtpërdrejtë i agresionit fashist ngriti në këmbë gjithë popullin shqiptar, i cili, nën udhëheqjen e grupeve komuniste, u hodh në demonstrata të fuqishme antifashiste (shih Demonstratat antifashiste të prillit 1939), kërkoi me këmbëngulje nga regjimi i Zogut të organizonte qëndresën kundër pushtuesit dhe kur e pa se u tradhtua prej tij, kërkoi armë të mbronte atdheun dhe organizoi qendrat e regjistrimit të vullnetarëve për qëndresën e armatosur. Në këto rrethana më 7.4.1939, fashistët italianë sulmuan Shqipërinë. Në agresion morën pjesë 35-40.000 ushtarë fashistë hën komandën e gjeneral A. Guconit, mbështeteshin prej një flote të madhe detare dhe prej më se 400 aeroplanëve. Zbarkimi i trupave italiane ishte caktuar të bëhej njëkohësisht në Durrës, që ishte dhe drejtimi kryesor, në Vlorë, në Sarandë e Shëngjin. Zogu dhe klika e tij e braktisën vendin, duke e Iënë në mëshirën e fatit. Ushtria shqiptare e paralizuar nga specialistët ushtarakë italianë dhe oficerët profashistë, u shthur pa bërë ndonjë rezistencë. Populli shqiptar, ndonëse i tradhtuar nga klika zogiste, kundërshtoi me vendosmëri agresionin. Grupe patriotësh luftuan heroikisht me armë në dorë kundër agresorëve në Durrës, Sarandë, Shëngjin, Shkodër e Vlorë (shih: Qëndresa e popullit shqiptar kundër agresionit italian më 7 prill 1939). Forcat e shumta armike e shtypën këtë qëndresë. Brenda pak ditësh fashistët pushtuan gjithë vendin. Populli shqiptar nuk u mposht, nuk e njohu regjimin e pushtimit të huaj dhe me themelimin e PKSH qëndresa e tij u kthye në Luftën ANÇ. Agresionin italian kundër Shqipërisë e dënoi mbarë opinioni publik përparimtar botëror.

(M. De.-L. Shi.>

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Agresioni Fashist I 7 Prillit 1939


[cite]