MONUMENTI I HERONJVE TË VIGUT


MONUMENTI I HERONJVE TË VIGUT
✤ Monument skulpturor (4.85 m i lartë mbi një bazament 3 m) në sheshin e ri të qytetit të Shkodrës ndërmjet teatrit «Migjeni» dhe hotel «Rozafës», vepër e Skulptorit të Popullit Shaban Hadërit. Përbëhet nga një grup skulpturor derdhur në bronz, që paraqet Heronjtë e Popullit Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Deda dhe Hydajet Lezha të cilët më 1944, në fshatin Vig të Mirditës ranë në luftë kundër tradhtarëve. Bashkimi i pesë trimave sup më sup në trajtë rrethi, të shtrënguar pranë njëri tjetrit, me qëndrimin e vendosur e burrëror, e bën veprën në konceptimin e përgjithshëm si një kep mali i kthyer në kështjellë, shprehje e qëndresës dhe e vitalitetit të. njeriut me ideale të mëdha që sakrifikon gjithçka për çështjen e popullit e të Partisë. Vepra zbulon tiparet individuale të heronjve, botën e tyre të brendshme, forcën e burrërinë e pesë trimave deri në çastet e fundit të jetës së tyre heroike.

(K. Bu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Monumenti I Heronjve Të Vigut


[cite]