MUNELLA
✤ Mal në kufirin e rrethit të Pukës në V, me atë të Mirditës në J me lartësi 1991 m (Maja e Kryqit), Shtrihet midis luginës së Fanit të Madh në VP dhe Fanit të Vogël në JL. Ndërtohet prej shkëmbinjsh efuzivë (deri në lartësinë 1300-1400 m), që mbulohen nga një pllakë gëlqerorësh të kretakut. Ka formë të përzgjatur në drejtim të VL-JP me gjatësi 6 km dhe gjerësi 3 km. Pjesa kulmore ka sipërfaqe të valëzuar me pjerrësi të vogël nga VL, tepër të copëtuar nga gropat e hinkat karstike. Shpati VP dhe JL formon rrëpira 200-300 m të thella në pllakën gëlqerore, kurse në shkëmbinjtë efuzivë shpatet janë relativisht më të butë. M. është kurriz ujëndarës midis Fanit të Madh e Fanit të Vogël. Bimësia përfaqësohet nga dushku (deri në 600-1100 m); ahu (deri në 1200-1600 m), mbi këto lartësi është i zhveshur. Pjesa kulmore ka kullota të mira alpine. Në M. dhe në vise të tjera malore të Mirditës ka arinj, derra të egër, kafshë me gëzof si shqarth e zardaf. Takohet rrallë edhe gjeli i egër. Ka xeherorë bakri nga ana VP (Tuç) dhe JL (Reps) etj.

(T.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Munella


[cite]