MUZIKA POPULLORE QYTETARE


MUZIKA POPULLORE QYTETARE
✤ Pjesë e muzikës popullore, që bën jetë kryesisht në mjediset qytetare. Ka lindur nën ndikimin e muzikës popullore fshatare. Në M. P. Q. të Gjirokastrës, Vlorës, Përmetit, Korçës etj., ende p.sh. ndihen lehtë fillesa dhe origjina fshatare, gjersa ato kanë, mes të tjerash, një sistem të përbashkët tonativo-modal. Për këtë afri dhe lidhje flasin, sidomos, vallet qytetare shkodrane, disa këngë qytetare elbasanase etj. M. P. Q. fitoi tiparet e saj, në radhë të parë, si pasojë e kushteve të veçanta ekonomike, shoqërore, historike etj., të zhvillimit të qyteteve tona. Kultura muzikore e një vargu qytetesh, si: Berati, Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Prizreni, Gjakova, Peja etj., ndërtohet, më tepër, në gjininë tonale kromatike, duke parapëlqyer, veçanërisht këtë shkallë: re, mi bemol, fa diezis, sol, la bemol, si bemol, do diezis, re. Vend parësor në të zënë të ashtuquajturat «këngë të ahengutx, të cilat praktikohen edhe sot. Ky tip këngësh shquhet, në përgjithësi, nga një përmbajtje ideoemocionale me nota të theksuara liriko-erotike. Dallohet gjithashtu nga një melodikë mjaft e zhvilluar (veshja e së cilës me lloj-lloj melizmash e kadencimesh të lira i japin asaj, disa herë, tipare instrumentale), ritmika e lirë, përcjellja me vegla muzikore etj. Këngët e qyteteve të Përmetit, Leskovikut, Korçës etj., formojnë një grup më vete. Krahas gjinive vokale për M. P. Q. janë karakteristike edhe ato instrumentale, si p.sh. kabatë, pjesët orkestrale të ahengut etj. Ndonëse gjatë sundimit pesëshekullor osman, një pjesë e saj (kryesisht muzika e Shqipërisë së Mesme, të V dhe e Kosovës) u ndikua në një masë nga kultura artistike turko-arabo-persiane, ajo në tërësi mundi të ruajë origjinalitetin etniko-kombëtar.

(S.Shi.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Muzika Popullore Qytetare


[cite]