NAJDENI SAID


NAJDENI SAID
✤ (1864-1903). Atdhetar i dalluar i Rilindjes. I njohur me pseudonimin Hoxhë Voka. Lindi në Dibrën e Madhe në një familje me tradita atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Studimet e larta i vazhdoi në Stamboll. I formuar me ndjenjat e dashurisë për mëmëdhenë, gjithë jetën punoi në të mirë të çështj es kombëtare. Më 1888 hapi në shtëpinë e vet, në Dibër, një shkollë shqipe të fshehtë dhe ndihmoi në përhapjen e mësimit shqip në krahinën përreth. Ndihmoi në organizimin e Kuvendit të Dibrës (1899) gjatë Lidhjes Shqiptare të Pejës. Për veprimtarinë e tij patriotike u ndoq nga qeveria osmane. Botoi librin Fe-rrëfenjëseja e myslimanëvet (Sofje, 1900) në alfabetin e Stambollit, ku krahas pikëpamjeve fetare, shtron mjaft ide atdhetare e shoqërore dhe jep këshilla për çështje morale e shëndetësore. Vepra tjetër e tij Abetare e gjuhës shqipe, ndë të folë gegënisht (1900) është hartuar mbi bazën e asaj të Sami Frashërit. (S.Te.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Najdeni Said


[cite]