NIKAJ NDOC


NIKAJ NDOC
✤ (1864-1945). Romancier dhe gazetar. Në vitet 1910-1921 nxori njëra pas tjetrës gazetat «Koha», «Bashkimi» dhe «Besa shqyptare». Bëri emër sidomos si prozator; është ndër nismëtarët e llojit të romanit në letërsinë shqiptare. Megjithëse jetoi gjatë, si shkrimtar i përket dhjetëvjeçarit të dytë të shek.XX. • Që nga v. 1913 e deri më 1920 shkroi dhe botoi romanet «Shkodra e rrethueme» (pjesa I 1913, pjesa II 1914), «Fejesa n’djep ose Ulqini i marrun» (1913), «Bukurusha» (1918), «Burbuqja» (1920), «Lulet në thes» (1920), një pjesë e të cilave ishin romane historike, dhe dramën «Motra për vëllan» (1924). Në romanet e tij vend të rëndësishëm zë tema patriotike që ndërthuret me histori dashurie. Në Shkodra e rrethueme N.N. pasqyroi luftën e masave popullore më 1912 kundër pushtuesve osmanë dhe shovinistëve malazezë për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës. Edhe romanet «Bukurusha» dhe «Fejesa n’ djep» flasin për luftën, për mbrojtjen e atdheut dhe të tërësisë tokësore të tij. Fryma sentimentale dhe melodramatike, peripecitë e ndryshme dhe të papriturat, janë tipare të këtyre romaneve si edhe të romanit «Lulet në thes». Autori u del zot të drejtave të individit përballë moralit të ashpër patriarkal apo veprimeve të padrejta të të fuqishmëve. Rrëfimi i thjeshtë dhe herë-herë naiv, gjuha dialektore dhe e papërpunuar sa duhet, ndërtimi jo gjithnjë i goditur i veprave formojnë veçoritë e stilit të N.N. Më 1902 N.N. botoi dy vepra historike «FIistoria e Shqypnisë» dhe «Historia e Turkisë», të cilat u përdorën si tekste shkollore.

(R.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Nikaj Ndoc


[cite]