NIKOLLA I ONUFRIT
✤ Piktor i shek.XVI. Ishte i biri dhe pasues i Onufrit (shih). Zhvilloi veprimtari krijuese në fushën e pikturës murore dhe të ikonës. Trajtoi ciklin e festave të mëdha, figura të veçuara shenjtorësh strategë, murgjër dhe subjekte të rralla, si Krishti trifytyrësh. Sfili dhe mënyra e tij e pikturimit ngjajnë, por edhe dallohen prej pikturave të Onufrit nga një varg tiparesh origjinale. Për N.O. karakteristike janë figurat me përpjesëtime të zgjatura, të diferencuara nga portreti, veshjet e gjera me palëzime, ngjyrat dekorative, rrëfimi disi i zvargët, elementi etnografik. N.O. është autor i pikturave të kishës së Shën Mëri Vllahernës në kalanë e Beratit (v.1578) dhe i një vargu ikonash të Beratit, ka pikturuar afresket e kishave të Shën Kollit në Kurjan të Fierit dhe të Shën Gjergjit në Arbanas të Bullgarisë (v.1561).
(Dh.Dh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Nikolla I Onufrit
[cite]