OLIMPIA
✤ (375-316 p.e.r.). Mbretëreshë e Maqedonisë, e bija e Neoptolemit, e shoqja e Filipit II dhe e ëma e Aleksandrit të Madh. Figurë energjike që ndikoi në ngjarjet politike të Maqedonisë dhe të Epirit në gjysmën e dytë të shek. IV p. e. r. Mori pjesë në komplotin kundër Filipit II, vrasja e të cilit (v. 336 p. e. r.) i hapi rrugën ardhjes në fuqi të Aleksandrit të Madh. Në v. 328 u largua nga Maqedonia e u vendos në Epir ku sundoi (për një kohë së bashku me Aiakidin si tutore e nipit të mitur Neoptolemit II, duke larguar nga regjenca t’ëmën e tij Kleopatrën, të shoqen e të vëllait Aleksandrit Molos (shih). Më 317 u rikthye në Pela me ndihmën e Aiakidit dhe përqendroi në duart e veta pushtetin maqedon. U vra më 316 p.e.r. nga Kasandri, që fitoi luftën për pushtet midis Diadokëve, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh. (F. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Olimpia
[cite]