OPERACIONI I NAZISTËVE GJERMANË 505 NË PEZË


OPERACIONI I NAZISTËVE GJERMANË 505 NË PEZË
✤ (5-13.11.1943). I pari në vargun e operacioneve që ndërmorën pushtuesit gjermanë në Shqipëri në dimrin 1943-1944. Morën pjesë tre divizione (i 100-ti, i 297-ti dhe 118-ti) dhe R. i 2-të «Brandenburg», me një efektiv mbi 8000 veta. Me këto forca komanda gjermane e operacionit krijoi katër grupe luftarake, që mësynë zonën e Pezës nga katër drejtime: Pezë e Vogël, Ndroq, Kavajë dhe Peqin. U morën masa për bllokimin e rrugëve Tiranë-Elbasan dhe Tiranë-Ndroq-Durrës. Në zonën e Pezës ndodheshin forcat partizane të Grupit të Pezës dhe Br. III S, gjithsej afër 1000 luftëtarë.

Komanda e G P të Pezës, në bashkëveprim me atë të Br. III S, vendosi forcat në të gjitha drejtimet e afrimit të armikut për në thellësi të zonës, me synim që pa u angazhuar në luftime të gjata ballore, me zjarr e kundërsulme të befasishme, ta dëmtonin e ta rraskapisnin armikun, duke e detyruar të tërhiqej nga zona. Për një javë rresht u zhvilluan luftime të ashpra, gjatë të cilave armiku pati humbje të mëdha. Nga forcat partizane ranë dëshmorë 81 partizanë. Nazistët gjermanë, megjithëse e shkelën zonën e Pezës dhe bënë raprezalje në masë, nuk ia arritën dot qëllimit që të asgjësonin forcën e gjallë të UNÇSH dhe nuk e thyen dot vullnetin e popullit të zonës. Më 13 nëntor zona e Pezës ishte përsëri e lirë. Pak ditë pas operacionit, komanda e Korpusit XXI detyrohej të raportonte se «Myslim Peza me partizanët e tij ndodhet përsëri në zonën në jugperëndim të Tiranës» dhe se kanë kryer prapë «sulme të befasishme mbi kolonat gjermane».

(Sh. L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Operacioni I Nazistëve Gjermanë 505 Në Pezë


[cite]