PANARITI QAMIL


PANARITI QAMIL
✤ (1883-1923). Veprimtar patriot në luftën për çlirimin kombëtar të vendit. Lindi në Korçë ku mori mësimet e para, të mesmet i kreu në gjimnazin e Manastirit. Mori pjesë që herët në lëvizjen patriotike, ishte anëtar i çetës së udhëhequr nga B. Topulli, (shih), propagandoi luftën e armatosur midis mërgimtarëve shqiptarë në SHBA e Stamboll (1907). Punoi për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në zonën e Korçës si veprimtar i klubit «Dituria» e i shoqërive patriotike. Komandoi çetën që u formua në qershor të vitit 1911 e cila veproi në fushën e Korçës, Vakëfet, Përmet, Skrapar e Tomorricë. Mori pjesë në ndeshjen me forcat turke në Orman-Çiflig më 28-29 korrik 1911 (shih, Dëshmorët e Orman-ÇifLigut) dhe në organizimin e kryengidtjes së përgjitlxshme të vitit 1912. Pas Shpalljes së Pavarësisë bashkëpunoi me Th. Gërmenjin në Skrapar, u kthye në Korçë më 1914, ku u emërua kapiten i ushtrisë shqiptare dhe u shqua në shtypjen e puçit grek në prill të vitit 1914. Dha kontribut të çmuar në shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës, ku iu ngarkua detyra e drejtorit të policisë në Bilisht dhe në Korçë. Në qershor 1918 u arrestua nga pushtuesit francezë e u dënua me vdekje nga gjyqi ushatarak. Dënimi u zëvendësua me internim, në Gujanën franceze prej së cilës nuk u kthye më.

(F.X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Panariti Qamil


[cite]