PARTIA KOMBËTARE


PARTIA KOMBËTARE
✤ (1914-1920). Organizatë atdhetare shqiptare e krijuar në Durrës për të organizuar e drejtuar lëvizjen kombëtare. Më 1915 qendrën e vendosi në Shkodër ku gjatë Luftës 1 Botërore (shih) u grumbulluan shumë udhëheqës të lëvizjes për shkak të ngjarjeve luftarake të kohës. Përbëhej nga përfaqësues të borgjezisë kombëtare, civilë e ushtarakë, si Sotir Peci, Hoxhë Kadri Prishtina, BajramCurri, etj. P.K. veproi në ilegalitet për shkak të gjendjes së rëndë të vendit, të krijuar nga politika shtypëse e pushtuesve të ndryshëm. Lidhja e anëtarëve të saj bëhej mbi bazën e njohjes vetjake, numri i tyie ishte shumë i kufizuar. P.K. veproi deri në fillim të vitit 1920 kur, me vendimet e Kongresit të Lushnjës (shih), shumë anëtarë të saj u zgjodhën në organet drejtuese të shtetit shqiptar.

Krijimi i P.K.lidhet me gjendjen tepër të vështirë e të ndërlikuar, të brendshme e të jashtme, që kalonte vendi në prag të Luftës I Botërore dhe me mosbesimin ndaj qeverisë së V. Vidit. Anëtarët e saj kontribuan edhe në largimin nga Durrësi në maj 1914, të Esat pashë Toptanit. Gjatë konfliktit botëror puna e anëtarëve të P. K. u përqendrua në luftën për demaskimin e politikës antishqiptare të pushtuesve të ndryshëm e të planeve të tyre grabitqare. Më 7 nëntor 1918 anëtarët e P. K. krijuan Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës (shih), i cili veproi legalisht në Shkodër. Të dy këto organizma botuan po në Shkodër në fillim të vitit 1919, nën drejtimin e Sali Nivicës, gazetën «Populli» (shih). Anëtarët e P. K. luajtën një rol të dukshëm në përgatitjen e Kongresit të Lushnjës dhe në vendimet e tij.

(M.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Partia Kombëtare


[cite]