PATOSI
✤ Qytet i ri në rrethin e Fierit (JL) në kodrat në të majtë të rrugës Fier-Ballsh. Popullsia 13.700. P. është qendër e fshatrave: Dukas (shih), Lënginas, Kuqar, Margëlliç (shih), Rërëz, Rusinjë. Fshati P. i vjetër është 3 km në L. Më 1925 u zbulua naftë, por nxjerrja filloi më 1941. Gjatë Luftës ANÇ në shkurt 1943 këtu u bë Aksioni i Patosit (shih). Më 10-12 nëntor 1943 nga Brigada I S u zhvilluan luftime të përgjakshme kundër garnizonit gjerman të P. Brigada VI me forca partizane të Zonës I goditën më 29.3.1944 garnizonin gjermano-ballist të P, Në tërheqje pushtuesit hodhën në erë gjithë pajisjet për nxjerrjen e naftës. U çlirua më 18.10.1944.
Qyteti i P. filloi të ngrihej më 1947 me ndërtimin e kantierit të naftës buzë kodrave të Margëlliçit. Në vitet 50 u zbulua naftë në V të P. dhe u ngrit qyteti i ri i P. afër Dukasit. Në fillim të viteve 60 në P. u gjetën për herë të parë vendburime nafte në shtresat gëlqerore. Sot P. është qendër e rëndësishme e industrisë së naftës. Ka 19 ndërmarrje për kërkimet, shfrytëzimin e nxjerrjen e naftës e të gazit, Uzinën Mekanike të Naftës (shih), impiantin e rërave bituminoze, ndërmarrjen e transportit të naftës — një nga ndërmarrjet më të mëdha të vendit etj. Në P. është Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve Teknologjike të Naftës (shih). P. ka pallat kulture, bibliotekë, 2 shkolla të mesme, Muzeun e naftës, fushën e klubit sportiv «Punëtori», disa grupe të teatrit e të estradës etj. Qyteti ka 4 lagje dhe ndërtimet e reja bëhen duke iu përshtatur truallit kodrinor.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Patosi