PAZARET
✤ Qendra ekonomike të qyteteve, ku ishte përqendruar prodhimi zejtar dhe shitja e mallrave dhe e prodhimeve hujqësore. P. më në zë ishin: i Elbasanit, i Shkodrës, i Prizrenit, i Beratit etj. Rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të krahinave të brendshme luanin P. fshatare (të Mirditës, Matit, Beratit, Korçës etj.), ku tregtoheshin kryesisht prodhime bujqësore e blegtorale në ditë të caktuara të javës, si dhe panairet (shih) që organizoheshin çdo vit.

Në strukturën urbanistike të qyteteve P. ishin zakonisht ansamble më vete, të dalluara nga lagjet e banuara. Përbëheshin nga: çarshia (tërësia e dyqaneve-punishte dhe të tregtimit); sheshet e hapura, ku tregtohej në ditë të caktuara të javës, bezistenet (shih), hanet (shih), kulla e sahatit. Organizimi esnafor i prodhimit mesjetar ndikoi në kompozimin urbanistik të P. Dyqanet ishin grupuar sipas zejeve, anash rrugëve me të njëjtin emër (rruga e rrobaqepësve, e këpucarëve etj.). Sheshet e hapura ishin të shpërndara në pika të ndryshme dhe emërtoheshin sipas mallit që tregtohej (P. i drithit, i bagëtive, i bulmetit etj.). Kompozim tjetër i zakonshëm ishte ai gjatësor, me ndërtime të vendosura në të dy krahët e një rruge që përfundon në P. e hapur (Krujë, Pejë etj.). Në P. më të vjetra ndërtimet ishin përdhese (Krujë), ose dykatëshe, me përdorim të gjerë të drurit (Gjakovë). Në P. e reja, krahas skemave më të përparuara urbanistike, u përdorën materiale më të qëndrueshme; guri, tulla, hekuri (Korçë, Gjirokastër). Zhvillimi i marrëdhënieve kapitaliste e dobësoi rolin e madh që luante P. në jetën ekonomike të qytetit mesjetar. Pas Çlirimit është restauruar si monument kulture P. i Krujës, i Korçës etj.

(P.Tho.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pazaret


[cite]