PARKU KOMBËTAR I DIVJAKËS
✤ Një nga parqet më të mëdha e më të bukura natyrore të Shqipërisë. Shtrihet rreth 20 km gjatë bregut të Adriatikut nga gryka e Shkumbinit në V e deri në atë të Semanit në J, me gjerësi deri në 1 km dhe sipërfaqe rreth 1200 ha. Pjesa .më e pasur në lloje drurësh shtrihet në rripin ranor që ndan lagunën e Karavastasë nga deti. Relievin e përbëjnë ndërthurja e bëzeve (dunave) ranore të ulëta (4-5 m) me gropa në trajtë hullish (struga) të cilat në dimër mbushen me ujë, kurse në verë mbajnë lagështirë e në to rriten bimë lagështirëdashëse. Pylli është halor mesdhetar, mbeturinë e pyjeve të dikurshme të pishave që mbulonin sipërfaqe të mëdha në krejt pellgun e Mesdheut. Ndër drurët më të përhapur që zënë rreth 80% të sipërfaqes janë pisha e butë, që në Divjakë njihet me emrin marule. Rriten edhe drurë me gjethe, që mbizotërojnë në V, pranë grykës së Shkumbinit, dhe në L. Drurët gjetherënës më të përhapur janë: frashëri, vidhi, shkoza e zezë, plepi. Janë mjaft të përhapura znakjet mesdhetare, që në J marrin pamjen e një xhungle të vërtetë. Kjo pjesë e parkut është shpallur «monument natyre». Llojet kryesore të makjes janë: mërsina, xina, shqopa, lofata, mretja, thana. Makjet e drurët mpleksen me bimë kacavjerrëse (liana) që ngjiten deri në majat më të larta, duke e bërë të pakalueshëm pyllin. Midis lianeve rriten hurdhja, rrushkulli, hardhija e egër, etj. P.K. i D. ka edhe botë shtazore të pasur, sidomos shpendësh të ujit (pelikanë, rosa, çafka, karabullakë etj.). Rriten lepuri, dhelpra, baldosa, çakalli, kunadhja etj,, në të kaluarën rritej edhe demi i egër. Janë të përhapur zvarranikët dhe breshkat e tokës e të.ujit. Më 1974 u ngrit një stacion për rritjen e fazanit, që sot gjendet i lirë në park. P. K. i D. me visoret e shumëllojshme, me plazhin, me mikroklimën shumë të shëndetshme dhe me bukuritë e rralla të natyrës është një nga vendet turistike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe një qendër pushimi.
(Me.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Paρku Kombëtar I Divjakës