PELLAZGËT


PELLAZGËT
✤ Popullsi e lashtë mesdhetare paragreke e parailire. Sipas autorëve antikë (Homeri, Hesiodi, Herodoti, Tukididi etj.) banonte në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë së Vogël, në Peloponez, në Greqinë Qendrore, në Thesali e gjetkë. Përcaktimi i karakterit etnik të kësaj popullsie u shtrua si çështje që në kohën e lashtë (p.sh. Straboni në shek. I p.e.r.). Në shek. XIX dhe në shek. XX çështjen e kanë rrahur gjuhëtarë, historianë e arkeologë, që kanë dhënë mendime e zgjidhje të ndryshme. Gjatë Rilindjes Kombëtare pikëpamja se nga pellazgët e ka prejardhjen populli shqiptar u përkrah si mbështetje për të treguar lashtësinë e tij. Pikëpamjet e sotme më të rëndësishme mund të përmblidhen në dy qëndrime kryesore:

Në Ballkan e në Mesdhe ka jetuar një popullsi e tejlashtë me emrin P., që shërbeu si bazë për formimin e popullsive të mëvonshme të kësaj treve; gjuha e tyre pellazgjishtja (shih) duhet konsideruar si një gjuhë e parë indoevropiane.

Në kohën e tejlashtë në Ballkan e në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as një emër të njëjtë për të gjitha këto treva; prandaj emërtimet P. e pellazgjishte janë të pasakta. Në këtë rast popullsitë quhen paragreke, parailire e paratrake dhe përjashtohet mundësia e përcaktimit të karakterit të tyre etnik.

Teza e parë, e autoktonisë dhe e lashtësisë së elementit të parë indoevropian, ka gjetur një mbështetje nga të dhënat arkeologjike të vendit tonë si edhe të vendeve fqinjë. Kulturat e neolitit të hershëm (Burimi, Podgorie — Vashtërni, Blazi, Kolshi) kanë lidhje të ngushtë me kulturat pasardhëse të neolitit të mesëm (të përfaqësuar nga Cakrani – Dunaveci), kurse kulturat e neolitit të vonë si Barçi. Maliqi, Kamniku, Burimasi etj., kanë në bazë të zhvillimit të tyre një tërësi elementesh të trashëguara nga neoliti i mesëm. Gjatë epokës pasuese të bakrit, d.m.th. gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të tretë p.e.r., në territorin e vendit tonë lindën dhe u zhviluan kulturat Maliq II, Burimas, Tren, Blaz, Gradec, Bënjë, të cilat në treguesit kryesorë dëshmojnë për një lidhje të ngushtë etnokulturore me kulturat paraardhëse.

Si përfundim, indoevropianizimi i ferritorit të vendit tonë është bërë nëpërmjet një procesi të gjatë evolutiv që nuk njohu ndërprerje. Ardhja e mëvonshme e një elementi të ri indoevropian në fillim të epokës së bronzit nuk i zhduku kulturat e popullsitë vendase indoevropiane të para. Kështu, në kapërcyell të mijëvjeçarit të .tretë p.e.r. u bë një ndërthurje e elementëve kulturorë dhe etnikë vendas me elementët të rinj indoevropianë të ardhur, si rezultat i së cilës u formua një popullsi me tipare të përgjithshme kulturore e gjuhësore të përbashkëta për tërë Ballkanin. Kjo është popullsia e tejlashtë e Shaipërisë që mund të lidhet me pellazgët e përmendur në burimet historike.

(M.Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pellazgët


[cite]