PEMËTARIA


PEMËTARIA
✤ Dega e bujqësisë që merret me rritjen e drurëve frutorë, hardhive, ullinjve dhe agrumeve. Para Çlirimit pemët (shih) rriteshin kryesisht në ngastra të vogla familjare. Pas Çlirimit, filloi sistemimi masiv i tokave kodrinore e malore dhe mbjellja e tyre me dru frutorë. U përmirësua përbërja e llojeve dhe kultivarëve e, si rrjedhojë e studimeve të mbështetura në kërkesat biologjike dhe veçoritë klimatike të rretheve, u zgjerua përhapja e kultivimit të pemëve. Agrumet (shih) janë përhapur në masive me disa mijëra rrënjë në Vlorë, në NB «Rinia», në Sarandë dhe me disa dhjetëra mijëra në NB Lukovë, Vrinë, Delvinë e mjaft koop. bujqësore. Ulliri rritet në Tiranë, Krujë, Durrës, Elbasan, Lushnje, Berat, Fier, Vlorë e Sarandë dhe vitet e fundit në Shkodër. Në këto rrethe shtrihet edhe vreshtaria me më shumë prodhimtari. Në rrethet me klimë kontinentale si në Korçë, Kolonjë, Pogradec, Dibër e Tropojë janë përhapur mollët, dardhat e kumbullat që përbëjnë masive me 40 deri në 200 mijë pemë. Më 1983 u prodhuan 105 mijë t fruta të ndryshme, afro 14 mijë t agrume etj., rreth 4.2 iierë më shumë se më 1960. Për zhvillimin e kësaj dege të bujqësisë kanë dhënë ndihmesë me veprimtarinë e tyre: Vasil Anagnosti, Dhimitër Muço, Janaq Prifti, Abedin Çiçi, Bedri Lumani etj.

(M.Pe.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Pemëtaria


[cite]