PIRUSTËT
✤ Fis ilir, banorë të krahinës së sotme të Matit e të Mirditës. Deri më 168 p.e.r. bënin pjesë në Mbretërinë Ilire dhe përmenden nga Livi ndër fiset që mbetën të pavarura pas shkatërrimit të saj nga romakët. Pavarësinë e ruajtën edhe në vitin 54 p.e.r. kur Cezari i detyroi të paguanin një dëmshpërblim. Në vitet 6-9 morën pjesë në kryengritjen e madhe ilire kundër pushtimit romak nën udhëheqjen e Batos së Desidiatëve dhe ishin ndër të fundit që u nënshtruan. Për herë të fundit përmenden në shek. II të e.r. nga Ptolemeu. P. përmenden si minatorë dhe për punimin e metaleve, e sidomos të bakrit. Në një mbishkrim të shek. III të e.f. përmendet një fshat i pirustëve, të shpërngulur nga romakët në zonat minerare të Dakisë.
(N.C.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Pirustët
[cite]