ROMAJA
✤ Varrezë tumulare ilire me 16 tuma në luginën e Drinit të Bardhë, afër Prizrenit (Kosovë). Janë gërmuar tri tuma më 1970, 1972 1973. Për madhësinë dhe arkitekturën më të plotë shquhet «Tuma e luftëtarëve» e lartë 5 m, me diametër 40 m. Ngrihej tërësisht prej dheu mbi një varr qendror simbolik, që kishte një shpatë hekuri, të mbështjellë me pëlhurë e të vënë mbi një dërrasë katërkëndëshe, rrethohej nga një unazë gurësh. Varret janë tri tipash: të ndërtuara e të mbuluara me pllaka guri, të rrethuara me gurë dhe gropa të thjeshta. Mbizotëron varrimi me vendosje të trupit, më rrallë me djegie. Shfaqet edhe varrimi simbolik, ndërsa dukuri e veçantë janë vatrat e flijimeve. Janë përcaktuar tri faza të përdorimit të varrezës: shek. VIII; shek. VI-V dhe shek. III-II p.e.r. Numri më i madh i varreve është i fazës II. Inventari përbëhet nga qeramika (tipike ianë dyvegjakët dhe enët me buzë të prerë pjerrët, të zbukuruara me motive të incizuara e kanelyra), nga armët, kryesisht heshta hekuri dhe nga stolitë, ndër të cilat mbizotërojnë rruazat prej qelibari. Ka edhe sende importi, të ardhura në Rrafshin e Dukagjinit nga Durrësi e qendra të tjera antike të brigjeve të Jonit përmes luginës së Drinit. Varrezat i përkasin kulturës ilire të dardanëve (shih), ndërsa trajtat kryesore të enëve e lidhin me grupin ilir qendror Mat-Glasinac e më ngushtë me variantin e Kukësit.

(Zh. A.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Romaja


[cite]