RUSHITI MUHARREM


RUSHITI MUHARREM
✤ (1856-1931). Udhëheqës i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut dhe luftëtar për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Lindi në fshatin Koskë të Çamërisë. Mori që herët pjesë në lëvizjen patriotike. Pas 1908 ishte anëtar i kryesisë së shoqërisë kombëtare «Vëllazëria» të Filatit. Në krye të çetave të Çamërisë mori pjesë në kryengritjet antiosmane të 1911-1912. Luftoi kundër bandave të andartëve grekë që shkelnin tokat shqiptare dhe së bashku me çetat e Labërisë i shpartalloi ato në Çukë të Sarandës (në tetor 1912). Gjatë viteve 1913-1914 luftoi kundër pushtuesve grekë në vijën Kolonjë-Fushëbardhë (Gjirokastër). Më 1919 së bashku me Alush Takën, në emër të çamëve, i dërgoi Konferencës së Paqes në Paris një përkujtesë ku kundërshtohej shkëputja e Çamërisë prej trungut shqiptar. Më 1920 mori pjesë në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Vdiq në Sarandë.

(I. H.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rushiti Muharrem


[cite]