RUSHITI NAZMI
✤ (1915-1942). Militant komunist. veprimtar i shquar i lëvizjes komuniste dhe i Luftës ANÇ, Hero i Popullit. Lindi në Dovolan të Dibrës në një familje bujqish pa tokë. Përqafoi idetë komuniste që në bankat e gjimnazit të Tiranës, pastaj të gjimnazit të Shkodrës. Mori pjesë gjallërisht në aktivitetin revolucionar të rinisë komuniste shkodrane dhe u bë anëtar i GK të Shkodrës. Në janar 1939 u arrestua dhe u dënua me burgim nga gjyqi që organizoi regjimi i Zogut kundër elementëve komunistë. U arratis nga burgu në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë. Në dhjetor 1939 u përjashtua nga gjimnazi i Shkodrës dhe u internua në Ventotene të Italisë. U kthye në atdhe në shtator 1941. Me themelimin e PKSH u pranua anëtar i saj, I udhëzuar drejtpërdrejt nga shoku Enver Hoxha, u dërgua me punë partie në rrethin e Dibrës. Dha ndihmesë të madhe për krijimin e organizatës së rinisë komuniste, për organizimin e kryengritjes së armatosur në qarkun e Dibrës. Pasi kreu një aksion të guximshëm në Zerqan, u plagos rëndë nga fashistët, qëndroi heroikisht dhe vdiq në tortura çnjerëzore më 27.9.1942.
(F. La.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Rushiti Nazmi
[cite]