ARKEOLOGJIA
✤ Degë e shkencave historike, që studion historinë e së kaluarës, veçanërisht për kohët kur mungojnë burimet e shkruara, duke u mbështetur në gjurmët e jetës së shoqërive njerëzore, që ruhen në rrënojat e vendbanimeve dhe në varrezat e lashta: ndërtime, vepra arti, sende të përdorimit të përditshëm, mbishkrime, monedha etj., të cilat dëshmojnë për veprimtarinë ekonomike, shoqërore e politike, shkurt për kulturën materiale e shpirtërore të një shoqërie apo të një popullsie të veçantë. Si shkencë e vërtetë në vendin tonë u zhvillua vetëm në vitet e pushtetit popullor. Shqipëria si vend me kulturë shumë të lashtë e me pozitë të tillë gjeografike, ku janë gërshetuar kulturat më të rëndësishme të botës antike, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e studiuesve. Rilindësit tanë bënë përpjekjet e para për të ndriçuar historinë e lculturës së lashtë të popullit shqiptar. Para Çlirimit, veç përpjekjeve individuale të disa patriotëve si Sh.Gjeçovi (shih) për të grumbulluar e ruajtur objektet arkeologjike, nuk u tregua asnjë kujdes. Udhëtarë e studiues të huaj duke filluar nga gjysma I e shek.XIX treguan interes e kanë dhënë disa njoftime për monumentet arkeologjike të Shqipërisë. Në tre dhjetëvjeçarët e parë të shek.XX kërkimet u bënë më të shpeshta dhe misionet e huaja arkeologjike austriake (K.Prashniker), francezë (L.Rei) e italianë (L.Ugolini) ndërmorën gërmime arkeologjike në Apoloni e Butrint.
Pas Çlirimit A. mori hov si një nga shprehjet e politikës së PPSH për vlerësimin e traditave të lashta të popullit shqiptar.Më 1948 u çel Muzeu i parë arkeologjik-etnografik, dhe arkeologët shqiptarë filluan gërmimet e para sistematike në Apoloni e më pas në tumat e Matit. Për përgatitjen e listës së parë të monumenteve të kulturës që mbrohen nga shteti dha ndihmesë inxhinieri dlie arkeologu Jovan Adami (1892-1951). Sot veprimtaria kërkimore-shkencore arkeologjike drejtohet nga Qendra e Kërkimeve Arkeologjike (shih). A. qysh në fillim, u dha përparësi kërkimeve në fushën e kulturës ilire e asaj të hershme shqiptare, pa lënë pas dore kërkimet në qytetet antike të bregdetit, duke pasur në qendër të vëmendjes problemet themeiore të etnogjenezës së popullit shqiptar.
Në fushën e preliistorisë, gjatë 30 vjetëve të fundit u zbulua një numër i madh nekropolesh e vendbanimesh, një pjesë e të cilave dhe janë gërmuar. Lënda e rëndësishme arkeologjike e gjetur përfaqëson periudhat kryesore të zhvillimit të prehistorisë në vendin tonë. Më mirë është studiuar pjesa J e sidomos ajo JL me qendër pellgun e Korçës, si dhe lugina e Matit. Në vitet 50 u bënë gërmime të rëndësishme në nekropolet tumulare të Matit, të Vajzës së Vlorës e të Dropullit. Në vitet 60 u gërmuan: tumat e Pazhokut (Elbasan); vendbanimet: Gajtani (Shkodër), Maliqi dhe më pas Treni (Korçë), Cakrani (Fier). Gjatë viteve 70-80 u hënë gërmime në vendhanimet: Kamniku (Kolonjë); Dunaveci, Vashtëmia, Burimasi, Podgoria e Barçi (Korçë); Blazi e Neziri (Mat); Burimi, Cetushi e Gradeci (Dibër); Kolshi (Kukës). Gjithashtu u gërmuan tumat në; Krumë, Kënetë e Çinamak (Kukës); Barç e Kuç të Zi (Korçë); Prodan e Rehovë (Kolonjë); Piskovë,Rapekë e Grabovë (Përmet); Patos (Fier); Dukat (Vlorë); Çepunë (Gjirokastër); Bajkaj (Sarandë) si dhe në Mat e Pazhok. U fituan të dhëna të rëndësishme për sqarimin e vazhdimësisë etnokulturore gjatë epokës së bronzit dhe asaj të hekurit, dhe të një rëndësie themelore për procesin autokton të lindjes dhe të formimit të etnosit ilir. U evidentua edhe më mirë roli e vendi i kulturave prehistorike të Shqipërisë në kuadrin e zhvillimit të përgjithshëm prehistorilc e ballkanik. Një ndihmesë të veçantë në këtë fushë kanë dhënë F.Prendi, M.Korkuti etj.
Në fushën e antikitetit ilir është përqendruar vëmendja në qytetin ilir si hallka kryesore në procesin e zhvillimit ekonomik-shoqëror të ilirëve në periudhën e rendit skllavopronar. Gërmimet në; Lis, Zgërdhesh (Albanopoli), Dimal, Bylis, Klos (Nikaia), Margëlliç, Antigone, Çukë e Ajtoit, Selcë të Poshtme (Pelion) e në qendra të tjera më të vogla, kanë ndriçuar mjaft mirë fizionominë e qytetit ilir, zhvillimin e tij ekonomik-shoqëror, politik e kulturor. Ato kanë provuar se aty nga gjysma e dytë e shek.V p.e.r. e fillimi i shek.IV p.e.r. tek ilirët filloi urhanizimi, i cili u parapri nga një fazë më e hershme protourbane (shek.VII-V p.e.r.). Nga fundi i shek.IV dhe sidomos nga gjysma • e dytë e shek.III p.e.r. ky proces përjetoi periudhën e lulëzimit me ndërtimet e mëdha mhrojtëse e publike të qyteteve dhe me rritjen e prodhimit zejtar dhe të shkëmbimeve.
Zbulime të rëndësishme janë bërë në qytetet koloni: Dyrrahu e Apolonia dhe në nekropolet e tyre, ku popullsia autoktone ilire ka luajtur rol aktiv në jetën shoqërore e politike. Është grumbulluar një material i pasur numizmatik dhe epigrafik me vlerë të veçantë për studimin e organizimit politik dhe zhvillimit social ekonomik të tyre. Qyteti dhe kultura qytetare ilire është parë në lidhje të ngushtë me vetë shtetin ilir, po edhe me botën mesdhetare. Një ndihmesë të veçantë në këtë fushë kanë dhënë S.Islami e H.Ceka etj. Në fushën e mesjetës së hershme kërkimet e mirëfillta filluan vetëm pas Çiirimit. Në fillim u gërmuan disa varreza të mesjetës së hershme: Koman, Bukël, Shurdhah, Lezhë; më vonë gërmimet u shtrinë edhe në një varg kështjellash: Varosh (Stelush), Shurdhah (Sarda), Lin, Pogradec, Berat, Kaninë, Butrint e krahas tyre edhe në një radhë objektesh kulti si në Balish, Hekal, Sarandë, Durrës etj. U fitua një njohje e gjerë për kulturën ilire të antikitetit të vonë që përhën bazën autoktone mbi të cilën lindi kultura e hershme arbërore, u ndriçuan tiparet e kulturës arhërore në shek.VI-VIII dhe lindja, formimi e veçoritë dalluese të kulturës së hershme mesjetare shqiptare. Vitet e fundit kërkimet, në disa kështjella, po shtrihen deri në shek.XV. për të zbuluar fizionominë e kulturës arbërore të zhvilluar. Një ndihmesë të veçantë në këtë fushë ka dhënë S.Anamali etj. Rezultatet e kërkimeve shkencore të A. janë pasqyruar në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare si në Konferencën e parë të studimeve albanologjike (1962) e sidomos në Konferencën e parë të studimeve ilire (1972), në Konfereneën për formimin e popullit shqiptar — gjuhës e kulturës së tij (1982) në një sërë botimesh periodike si Iliria, Studime historike, Monumentet, Studia a.lbanica etj., si dhe në disa botime kryesore kolektive si «Historia e Shqipërisë» (pjesa e lashtë, 1959 dhe ribotimi), «Ilirët dhe Iliria tek autorët e lashtë» (1963), «Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëvex (1969), «Shqipëria arkeologjike» etj.
(M.Ko.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Arkeologjia