AUTONOMIA E TREVAVE MALORE


AUTONOMIA E TREVAVE MALORE
✤ E drejta e vetëqeverisjes së krahinave malore të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës, Dibrës, Kurveleshit, Himarës, Sulit, e fituar në sajë të qëndresës së tyre të armatosur, pa lejuar vendosjen e drejtpërdrejtë në to të administratës së pushtuesit osman nëpërmjet zbatimit të regjimit të timareve. Këto krahina njihnin sulltanin si kryezot feudal, duke paguar një detyrim global, të cilin e dorëzonin shpesh herë «në sheshin e jataganit», për të treguar se të drejtën e vetëqeverisjes e mbronin me armë. Malësitë vetëqeveriseshin në bazë të normave të së clrejtës zakonore të trashëguara nga e kaluara. Këto norma në Maiësinë e Madhe tradita gojore i njohu me emrin Kanuni i Maleve, në Dukagjin i lidhi me emrin e Lekë Dukagjinit, në krahinat e Dibrës, të Krujës e Matit me emrin e Skënderbeut, në Malësitë e J. rne emrin e Papa Zhulit etj. Fshatarësia e këtyre malësive qëndroi e lirë.

Gjatë shek.XV-XVIII malësitë e vetëqeverisura hënë një qëndresë të ashpër të armatosur kundër përpjekjeve të sunduesve osmanë për të zbatuar regjimin e timarit, — ato u bënë ndër vatrat më të rëndësishme të luftës çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë. Nevoja për forma vetëqeverisjeje dhe organizimi shoqëror sa më të përshtatshme për luftën bëri që në këto treva të krijoheshin disa njësi krahinore-administrative dhe ekonomike-shoqërore autonome, që bashkonin një varg fshatrash me lidhje të forta ekonomike, dokësore dhe farefisnore, siç qenë krahinat e Hotit, të Pipërit, të Kuçit, të Kelmendit të formuara qysh nga fundi i shek.XV, ato të Shalës, të Shoshit, të Nikaj-Mërturit, të Gashit, të Krasniqes, që zëvendësuan njësinë e mëparshme krahinore të Pultit, si dhe ajo e Mirditës, aty nga shek.XVII-XVIII. Në gjirin e fshatarësisë së këtyre viseve kishin lindur qysh para pushtimit osman marrëdhënie feudale që u gërshetuan me mbeturina të theksuara të rendit fisnor, veçanërisht në organizimin shoqëror. Qysh nga shek.XVIII u shfaq institucioni i bajrakut (shih), si rrugë për depertimin e administratës osmane në malësi. Në fund të shek.XVIII e në fillim të shek.XIX qeveritarët Bushatllinj (shih) të Pashallëkut të Shkodrës e respektuan këtë autonomi në krahinat malore V, ndërsa Ali pashë Tepelena (shih) në J arriti t’ia nënshtronte krahinat autonome pushtetit të tij. Krahinat e vetëqeverisura malore ’ morën pjesë gjallërisht në kryengritjet kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit dhe më vonë kundër orvajtjeve të sunduesve osmanë për të rritur shtypjen ekonomike dhe politike. Rilinclja kombëtare me programet dhe organizmat që linclën prej saj (Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Komitetet kombëtare) luftoi për shkrirjen e autonomive lokaie në autonominë kombëtare, duke kundërshtuar shfaqjet e lokalizmit e të separatizmit. Pas shpalljes së Pavarësisë dhe sidomos me konsolidimin e shtetit kombëtar, autonomia lokale e trevave malore u suprimua.

(LZ.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Autonomia E Trevave Malore


[cite]