BOTANIKA


BOTANIKA
✤ Shkenca që merret me studimin e bimëve, degë e biologjisë. Degët kryesore të B. janë: sistematika (llojet e ndryshme të bimëve dhe klasifikimi i tyre), morfologjia e anatomia (ndërtimi), fiziologjia, biokimia (shih), embriologjia, gjeobotanika (përhapja mbi tokë) etj. Si lëndë mësimore B. është dhënë në shkollat e mesme në Shqipëri qysh para Çlirimit, përfshinte edhe njohjen konkrete të bimëve kryesore spontane. Pas Çlirimit B. filloi të zhvillohet si shkencë bashkë me degët e tjera që përfshin biologjia (shih) dhe e lidhur ngushtë me nevojat e ekonomisë socialiste. Drejtimet themelore të kërkimeve në fushën e B. sot janë dy:

Së pari, në sistematikën e bimëve të larta me qëllim që të studiohen dhe të përshkruhen llojet bimore për hartimin e Florës së RPS të Shqipërisë dhe të florave të tjera krahinore, për njohjen e bimësisë së dobishme e të dëmshme etj. Së dyti, në gjeobotanikën për mirëmbajtjen, ripërtëritjen dhe shfrytëzimin e bimësisë mbi baza shkencore. Kohët e fundit ka filluar të studiohet edhe flora kriptogamike, sidomos bimët e ulëta si kërpudhat, për qëllime kryesisht ekonomike. Studimet dhe kërkimet shkencore në fushën e B. bëhen kryesisht në Qendrën e Kërkimeve Biologjike, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Institutin e Lartë Bujqësor, etj.

(Xh. Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Botanika


[cite]