BREJTËSIT
✤ (Rodentia). Kafshë gjitare me përmasa të vogla e mesatare, që dallohen nga ndërtimi i veçantë i dhëmbëve: kanë dy prerës të mprehtë, të gjatë, që rriten vazhdimisht, të veshur me smalt vetëm nga përpara dhe nuk kanë dhëmbë qeni, shpesh as paradhëmballë. Është rendi i gjitarëve më të përhapur (vendës e të ardhur). Në Shqipëri jetojnë disa lloje B., që përfshihen në familjen e ketrave (Sciuridae), të minjve (Muridae), të gjerëve (Gleridae). Shumëzohen shpejt, me disa brezni në vit, janë veprues kryesisht natën, ushqehen me bimësi e produkte bimore, disa janë gjithçkangrënës. Janë pre e shumë kafshëve dhe e shpendëve grabitqarë. Dëmtojnë ekonominë dhe njeriun duke prishur kulturat bujqësore e produktet e ndryshme, janë përhapës dhe mbartës të disa sëmundjeve, Një shërbim i veçantë (deratizim) merret me shfarosjen e minjve. Disa prej tyre si ketri (S. vulgaris L). etj. gjuhen për gëzofin e vlefshëm.
(L. Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Brejtësit
[cite]