BURIMET
✤ Dalje si rrjedhë në sipërfaqen e tokës të ujërave nëntokësore të ëmbla ose të mineralizuara. Në vise të ndryshme të Shqipërisë ka B. të shumta të ujërave të ëmbla, të pastra e të freskëta. Klasifikohen sipas shkëmbinjve prej të cilëve dalin. Më të rëndësishme janë B. karstike, të cilat lidhen me shkëmbinjtë më të tretshëm gëlqerorë-dolomitikë e të tjerë, në trevat kryesore karstike të vendit si Alpet Shqiptare, Mali me Gropa, Korabi, Nemërçka, Çika etj. Kanë temperaturë të ujit 5 deri 16°C. Në regjimin e tyre dallohen dy faza: ajo ujëshumtë (nëntor-maj) dhe ajo e shterjes (qershor-tetor). Disa nga B. karstike më kryesore janë: Syri i Kaltër (Sarandë), Syri i Sheganit (Shkodër), Vrella e Shoshanit (Tropojë), B. i Shutresë (Mat, 4500 1/sek), i Gurabardhit (Mat), i Shëmrisë (Tiranë, 1000 1/sek), i Selitës (Tiranë), i Bogovës (Berat), i Poçemit (Fier 840 1/sek), Uji i Ftohtë (Tepelenë), B. e Grykës së Këlcyrës (Përmet), të Tragjasit (Vlorë, 800 1/sek), i Picarit (Gjirokastër), i Borshit (Sarandë) etj. B. karstik më i madh në Shqipëri është Syri i Kaltër (shih) i cili del nga shpati P i Malit të Gjerë që është një rezervuar shumë i madh ujërash karstike. Ky burim, me prurje 15 m3/sek nga i cili zë fill Bistrica (shih), duke qenë rreth 45 m nën niveiin e Luginës së Drinos, është shkarkimi kryesor i masivit karstik të Malit të Gjerë. Në shpatin L të Malit të Gjerë shpërthejnë edhe burime të përkohshme si Viroi (shih). B. karstike ka edhe në bregdetin e Adriatikut e të Jonit nga Uji i Ftohtë (Vlorë) deri në Ksamil (Sarandë). Vetëm në sektorin Uji i Ftohtë deri në Jonufër (Vlorë) dalin 35 B. me prurje të përgjithshme rreth 5 m3/sek. Ujërat e B. karstike janë të një cilësie të lartë e përdoren gjerësisht për furnizimin me ujë të qyteteve e të qendrave të banuara dhe për prodhimin e energjisë elektrike.
Në shkëmbinjtë magmatikë të Shqipërisë takohen B. të shumta që dalin nga çarjet e shkëputjet tektonike, dhe kanë prurje zakonisht më të vogël se 1 1/sek (në raste të rralla deri 20 1/sek). B. të pakta ka edhe në depozitimet akullnajore si ai i Fushë Hudrit (Bulqizë), me prurje rreth 40-50 1/sek, si dhe në konet e depozitimit të përrenjve, me prarje deri 10 1/sek. B. me prurje të vogël dalin edhe nga shkëmbinjtë e flishit të cilët zënë një sipërfaqe të madhe të vendit, por janë të varfër me ujëra nëntokësore. Në Shqipëri ka edhe shumë B. uiërash mineTale shih).
(R. S.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Burimet
[cite]