BUZUJI
✤ (Buza e Ujit). Pjesë e Fushës së Mbishkodrës që shtrihet në trajtën e një rripi të ngushtë buzë liqenit të Shkodrës nga gjiri i Hotit në V e deri te dalja e Bunës nga liqeni në J, në një gjatësi prej rreth 25 km. Gjerësia e rripit është shumë e paqëndrueshme e lidhet me luhatjet stinore të nivelit të liqenit. Në verë, kur niveli i liqenit ulet, gjerësia e rripit rritet, kurse në dimër ngushtohet. Në B. mbillen kryesisht kultura pranverore (misër e perime), që korren para ngritjes së nivelit të liqenit. Në disa pjesë, sidomos pranë liqenit, B. ka natyrë moçalore dhe rriten bimë ujëdashëse (kallamishte, xunkth etj.). Fshatrat kryesore në B. janë Kalldruni, Stërbeqi, Jubica, Kamica, Flaka, Kosani.

(P. G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Buzuji


[cite]