CUKALI
✤ Bllok malor në skajin më J të Alpeve Shqiptare, me trajtën e një kubeje të përzgjatur VL-JP, e gjatë 24 km dhe e gjerë 8 km. Kufizohet nga lugina e l.Kir në VP, e Lesniqes në VL dhe e Drinit nga J. Bën pjesë në zonën tektonike të Krastë-Cukalit. Pjesa më e madhe e tij është e ndërtuar nga gëlqerorë të mesozoikut, nga flishi i Xhanit, i paleogjenit dhe rnë pak nga rreshpe dhe shkëmbinj efuzivë. Ka strukturë të rrudhosur, bllokore e luspore, tepër të copëtuar nga lëvizjet e fuqishme tektonike të pliocen-kuaternarit. Majat kryesore ngrihen në qendër të tij: maja e Mbilqethit (1734 m), e Cukalit (1723 m), e Vilës (1514 m) dhe Maja e Bardhë (1548 m). Midis tyre shtrihet Fusha e Lqethit, e cila ka trajtën e një grope (1323 m). Përrenjtë e shumtë, që nisin nga qendra e këtij mali dhe përfundojnë në Kir e Drin, e kanë copëtuar thellësisht duke i dhënë natyrë të ashpër alpine. Në pjesën më të madhe mbulohet nga dushku dhe ahu. Në skajin JP hasen dhe makjet (mare). Qendrat e banuara shtrihen në skajet e C. (Rranxat e Cukalit) si Shllaku, Duzhmani e Temali. Megjithëse bën pjesë në Alpet Shqiptare, ndryshon prej tyre nga lartësia më e vogël, nga klima relativisht më e butë dhe nga bimësia (mungon zona e kullotave alpine).

(Gj.G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Cukali


[cite]