DEFTERI
✤ Regjistër i kadastrës osmane në të cilin shënoheshin tokat, vendbanimet, popullsia e nënshtruar fshatare dhe qytetare, ndarja e tyre si feud midis spahinjve, renta në natyrë e në të holla në dobi të feudalëve, herë-herë edhe disa nga taksat në dohi të shtetit osman. Me anë të D. mbahej nën kontroll pronësia feudale mbi tokën e mbi fshatarët raja dhe vihej në jetë i gjithë regjimi feudal ushtarak osman. D. ishin dy llojesh: të përmbledhur dhe të hollësishëm.

Regjistrimet e para kadastrale në tokat shqiptare janë të v. 1431 në Shqipërinë Jugore e Qendrore, të v. 1455 në Kosovë, të v. 1467 në zotërimet e Kastriotëve dhe të v. 1485 në krahinat e Shqipërisë së V. Gjatë shek. XVI u bënë regjistrime në vitet 1506, 1570, 1583 në të gjithë sanxhakët shqiptarë. D. e këtyre regjistrimeve gjenden në arkivat e Republikës së Turqisë. Prej tyre janë botuar deri më sot D. i regjistrimit të krahinave të Shqipërisë Jugore e Qendrore i v. 1431, i Fushë-Kosovës i v. 1455 dhe i krahinave të Shqipërisë së Veriut i v. 1485. D.kadastralë janë burime dokumentare me vlerë historike, sepse përmbajnë të dhëna të rëndësishme ekonomike, shoqërore, politike dhe të dhëna gjuhësore (onomastike), etnografike etj.

(S. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Defteri


[cite]