DEMI ALI


DEMI ALI
✤ (1918-1943). Militant komunist, veprimtar i shquar i lëvizjes komuniste dhe i Luftës ANÇ,Hero i Popullit. Lindi në Filat të Çamërisë.

Për veprimtari komuniste u përjashtua nga gjimnazi i Gjirokastrës më 1936. Në gjimnazin e Tiranës ishte një nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave antifashiste të v. 1939. Anëtar i PKSH që me themelimin e saj, u zgjodh sekretar i njërës prej celulave të kryeqytetit. Zhvilloi aktivitet të gjerë revolucionar në kryeqytet.

U arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi fashist. Ishte ndër organizatorët e shpërthimit të burgut të Tiranës (1943), ku ishte caktuar drejtues i Komitetit të Partisë. Komisar i batalionit të Çermenikës (1943), sekretar organizativ e më pas sekretar politik i Komitetit qarkor të PKSH për Vlorën (1943), bëri një punë të madhe për të çelikosur radhët e Partisë dhe për të lidhur ngushtë masat e gjera të popullit të kësaj krahine rreth Partisë. Ra heroikisht në luftë kundër nazistëve gjermanë dhe ballistëve në Kaninë të Vlorës, më 20.12.1943. Emrin e A. D. e mbajnë rrugë, shkolla etj. Busti i tij është vendosur në Tiranë, në lagjen që mban emrin «Ali Demi».

(F. La.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Demi Ali


[cite]