DEMONSTRATAT POPULLORE ANTIZOGISTE


DEMONSTRATAT POPULLORE ANTIZOGISTE
✤ Formë e luftës klasore revolucionare të masave popullore dhe shprehje e urrejtjes së tyre kundër regjimit zogist dhe klasave shfrytëzuese çifligaro-borgjeze. Në vitet e regjimit zogist D. P. A. u bënë një dukuri e përhapur për shkak të keqësimit të vazhdueshëm të gjendjes ekonomike e politike të popullit, dhe të zgjimit të vetëdijes së tij klasore. Në to morën pjesë punëtorë, zejtarë, tregtarë të vegjël, sidomos nxënës të shkollave, në ndonjë rast edhe fshatarë të ardhur në qytet. Me krijimin e grupeve komuniste në fillim të viteve 30 D. P. A. morën karakter më të organizuar dhe u bënë më masive. Demonstrata antizogiste janë zhvilluar në Përmet (nëntor 1925), Shkodër (nëntor 1927), Korçë (28 nëntor 1928). Më 1928, për shkak të zisë së bukës, një demonstratë organizuan edhe gratë e lagjes Varosh në Korçë. Në verë të vitit 1931 një demonstratë popullore kundër zisë së bukës u organizua dhe në Gjirokastër. Një vit më vonë liceistët e Korçës bënë një demonstratë politike kundër regjimit. Demonstrata më e fuqishme popullore e gjithë periudhës së regjimit zogist, ishte Demonstrata e Bukës në Korçë (21 shkurt 1936 shih), nën drejtimin e komunistëve. Ajo shkaktoi panik në radhët e klasave sunduese dhe u cilësua nga shtypi zyrtar si një hap drejt kryengritjes popullore. Nën shembullin e saj shpërthyen demonstrata antizogiste po atë vit në Elbasan, Vlorë e gjetkë. D. P. A. e sidomos antifashiste shpërthyen në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, në prag të agresionit fashist. Këto u udhëhoqën nga komunistët dhe elementët atdhetarë.

(V. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Demonstratat Popullore Antizogiste


[cite]