DESPOTATI I EPIRIT


DESPOTATI I EPIRIT
✤ Formacion shtetëror feudal i krijuar pas shembjes së sundimit bizantin më 1204, në trevat e Epirit (shih); në pjesën Veriore të D. të E. mbizotëronte popullsia shqiptare, ndërsa në viset jugore ajo greke. Sundimtari i parë, Mihaili nga familja e madhe bizantine e Engjëll Komnenëve (1204-1215) arriti të shtinte në dorë Butrintin dhe Jerikon (Orikum), Vlorën, Durrësin si dhe Korfuzin, të cilët sipas traktatit të ndarjes së Perandorisë Bizantine midis kryqtarëve të kryqëzatës IV (1204) i përkisnin Venedikut. Me pushtimin e Shkodrës (1215) dhe të disa krahinave në Greqinë e Mesme, D. i. E. u shtri prej Drinit deri në Gjirin e Kdrintit. Nën vartësinë e . tij hyri përkohësisht edhe Shteti i Arbërit pas vdekjes së Dhimitrit të Arbërit (1216).

Pas vrasjes së Mihailit I në Bexat më 1205, D. i. E. nën pasardhësin e tij, Teodor Engjëlii (1215-1230) u bë një shtet i fuqishëm që ushqente synimin për të rimëkëmbur Perandorinë Bizantine. Më 1216 forcat e tij asgjësuan një ushtri të perandorit të porsazgjedhur latin të Kostandinopojës Pjerrë Dë Kurtene dhe e vranë atë kur po marshonte prej Durrësit nëpër «Grykat e Arbërisë» (lugina e Shkumbinit) drejt Lindjes për në kryeqytetin e vet. Pas pushtimit të Ohrit, Përlepit, Manastirit dhe Tesalisë, Teodor Engjëlli hyri më 1224 në Selanik, ku u kurorëzua perandor i romejve; por ushtritë e tij u thyen mandej keqas nga mbreti bullgar Ivan Aseni II (1230), forcat e të cilit pushtuan përkohësisht viset perëndimore të Gadishullit Ballkanik, midis tyre edhe Arbërinë. D. i E. u përmblodh kështu përsëri brenda kufijve të tij fillestarë. Nën sundimin e Mihail II Engjëllit (1230-1267) D. i .E. bëri përpjekje për të rifituar territoret e humbura, në një luftë të gjatë e të rëndë me perandorët bizantinë të Nikejës të cilët kishin nisur nga ana e Azisë së Vogël pushtimin e Gadishullit Ballkanik duke arritur deri në trevat e Arbërisë. Kryengritja e madhe e shqiptarëve kundër tyre (1257-58) i aha mundësi Mihailit II të shtynte nikejasit përtej Ohrit; por në betejën vendimtare me ta që u zhvillua në qytetin e Devollit (1259), D. i E. pësoi disfatë dhe u rrudh përsëri në një territor të ngushtë; qendrat bregdetare më të rëndësishme, Durrësin, Vlorën, Himarën, Sopotin e Butrintin Mihaili II, për të siguruar mbështetjen e tij kundër Nikejës, u detyrua t’ia lëshonte të dhëndrit, mbretit Manfred Hohenshtaufen të Siqilisë më 1258. D. i E. vazhdoi të mbijetojë i dobësuar deri sa u aneksua nga perandoria e rimëkëmbur e Bizantit dhe më në fund kaloi nën sundimin e shtetit serb.

(P. Xhu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Despotati I Epirit


[cite]