DIFTERIA


DIFTERIA
✤ Sëmundje e rëndë ngjitëse që prek kryesisht të vegjëlit, e shkaktuar nga një mikrob specifik: bakteri i difterisë (Corinbacterium diphtheriae). Helmet e mikrobit kalojnë në gjak dhe shkaktojnë helmim të gjithë organizmit. Sëmundja karakterizohet me pezmatim të mukozave të grykës ku zhvillohet një cipëzë e bardhë në bojë hiri e cila mund të shtrihet gjer në hyrjen e laringut. Frymëmarrja bëhet shumë e vështirë dhe fëmija mund të vdesë nga asfiksia. Në Shqipëri para Çlirimit D. ka qenë mjaft e përhapur dhe kundër saj nuk merreshin masa parandaluese. Më 1946 u bë vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve me vaksinë antidifterike që e uli mjaft përhapjen e kësaj sëmundjeje. Nga viti 1956 vaksinimi bëhet me anatoksinë të prodhuar në Institutin e Higjienës e të Epidemiologjisë (shih), që shërbeu si bazë për përgatitjen e serumit antidifterik. Më pas u prodhua anatoksina difterike e purifikuar (shih: Vaksinat). Prej v. 1970 ka vetëm ndonjë rast të veçuar të D. dhe kjo sëmundje mund të quhet tani e zhdukur.

(A. Gu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Difteria


[cite]