DORSA VINCENC
✤ (1823-1885). Studiues e atdhetar arbëresh. Lindi në Frasnitë të Kozencës, studioi në Kolegjin e Shën-Adrianit, më pas në Romë. Botoi veprën Mbi shqiptarët, gjurmime e mendime (Su gli albanesi, ricerche e pensieri, Napoli, 1847), e cila tërhoqi vëmendjen për pasurinë e të dhënave historike, gjuhësore, folklorike, etnografike, letrare etj. Interes të veçantë kanë shënimet që bëjnë fjalë për historinë e ngulimeve arbëreshe, për njerëzit e tyre të shquar, gjuhën dhe historinë e popullit shqiptar, si dhe të dhënat për zakonet e këngët popullore arbëreshe. Vepra karakterizohet nga ndjenja të flakta patriotike, nga besimi në të ardhmen e Shqipërisë. U mor edhe me studime gjuhësore (Studime etimologjike, 1882). V. D. ishte një ndër folkloristët më të zellshëm arbëreshë të shek. XIX. Botoi artikuj politikë, kultarorë etj. në organet e shtypit arbëresh e italian dhe bëri hapat e parë në fushën e kritikës letrare e solli të dhëna për letërsinë arbëreshe, drike bërë vlerësimin e autorëve e të veprave. Një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të tij mbeti e pabotuar, midis tyre një përmbledhje e këngëve popullore arbëreshe. V. D. përshëndeti kryengritjet kundër Tanzimatit në Shqipëri dhe mori pjesë në lëvizjen revolucionare në Kalabri (1848).
(Q. H.—K. Ko.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Dorsa Vincenc
[cite]