MOKRA
✤ Zonë gjeografike malore e krahinë etnografike në rrethin e Pogradecit dhe të Korçës që kufizohet në V me Qukësin e Bërzeshtën, në J me Gorën, në P me Gurin e Zi e Gurin e Topit dhe në L me malin e Gurit të Kuq. Shtrihet në lartësitë nga 420 m në 1789 m (Shkëmbi i Llëngës), dhe përbëhet kryesisht nga molasa e neogjenit dhe pjesërisht nga gëlqerorët mesozoikë. Relievi është tepër i copëtuar nga rrjedhja e sipërme e Shkumbinit dhe degët e tij të shumta, që kanë formuar lugina të thella dhe të ngushta. Kurrizet dhe luginat kanë drejtime të ndryshme, duke i dhënë M. pamjen e një malësie me reliev tepër të thyer e me kontraste të mëdha. M. ka dimër relativisht të ftohtë dhe verën në përgjithësi të freskët. Ka pasuri të shumta ujore me rezerva të, konsiderueshme hidroenergjetike. Bimësia e saj përbëhet kryesisht nga zona e dushqeve dhe ahishteve (pjesa J e JL), që shfrytëzohen. Ka edhe qymyrguri që nxirret në minierën e Dardhasit. Banorët e M. janë shquar si mjeshtër ndërtimi e të punimit të gurit. Krahina e M. ka qenë bazë e rëndësishme e Luftës ANÇ. Qendrat kryesore të banuara janë: Trebinja, Pleshishti, Sllabinja, Çezma e Vogël, Velçani i Mokrës, Lakteshi etj.
(P. Q.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mokra
[cite]