MOLASA
✤ Seri e trashë shkëmbinjsh sedimentarë copëzorë dhe jo shumë të ngjeshur, e përbërë nga ndërthurje konglomeratesh, ranorësh, deltinash e mergelesh, si dhe gëlqerorësh kryesisht organogjenë, fosilmbajtës, që është formuar në ultësirat pas ngritjes dhe rrudhosjes së vargmaleve dhe si rrjedhojë e shkatërrimit të tyre. M. është një nga formacionet gjeologjike më tipike të trevës mesdhetare dhe nga më të përhapurat në Albanidet, ku mbush tërë trevat fushore e kodrinore të vendit. Sipas mënyrës së formimit M. e Albanideve është detare dhe kontinentale, nga koha e formimit është paleogjenike dhe neogjenike, në varësi nga pozicioni gjeotektonik është e ultësirës së brendshme dhe e ultësirës së jashtme. Në ultësirën e brendshme ndërmalore të Albanideve, që është e mbivendosur në Zonën e Mirditës, dallohen disa lloje M., si M. detare eocenike, që shquhet nga prania e gëlqerorëve, organogjenë dhe copëzorë (Bitinckë, Mokër etj.); M. kontinentale e detare oligocenike-miocenike, që shquhet nga prania e shtresnajave qymyrmbajtëse në gropën e Korçës e të Mokrës; M. detare mioeenike; M. kontinentale liqenore miocenike e gropës së Librazhdit, të Burrelit etj.; M. liqenore miocenike-pliocenike, qymyrmbajtëse në gropën e Kolonjës, të Pogradecit, Tropojës etj.; M. kontinentale liqenore e lumore plioceniko-kuaternare e gropës se Kolonjës, Kukësit, Peshkopisë etj. Në ultësirën e jashtme paramalore të Albanideve M. është kryesisht detare. Në Ultësirën e Tiranës, të mbivendosur edhe në Zonën e Krujës, shqubet M. detare e miocenit të poshtëm, M. detare-kontinentale me shtresnaja qymyrmbajtëse e miocenit të mesëm e të sipërm dhe M. detare pliocenike. Në ultësirën pranadriatike të mirëfilltë, të mbivendosur në Zonën jonike shquhet M. kryesisht detare miocenike, e cila herë-herë në nivelet e tortonianit është detaro-kontinentale qymyrmbajtëse (sinklinali i Memaliajt etj.) dhe në niveiet e mesinianit është detaro-lagunore gjipsmbajtëse, si dhe M. detare pliocenike. M. e Albanideve përfshin tërë shtresnajat qymyrmbajtëse që njihen e shfrytëzohen. Në M. gjenden edhe minerale të tjera të dobishme, që shfrytëzohen, si gjipsi, alabastri dhe kripa e gurit, bitumi natyral, rëra bituminoze, shkrifërimet, materiale të shumta ndërtimi etj. Edhe vendburimet e naftës e të gazit në ranorët lidhen me M. e Albanideve.
(A. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Molasa
[cite]