PRESHI
✤ (Aliium porrum L.). Bimë barishtore dyvjeçare e familjes zambakore (Liliaceae) e kultivuar si perime, me kërcell që del në mes të rrënjës i mbuluar me gjethe plloçake vizake të gjata 60-80 cm me majë, me ngjyrë të gjelbër, të cilat në pjesën e poshtme janë të mbështjella njëra me tjetrën dhe formojnë kërcellin e rremë, me lule të bardha ose vjollcë, të vendosura në lulesë sferike në majën e kërcellit. Lulëzojnë në maj-korrik, bën fryt kapsulë me fara të zeza, të rrudhosura, të vogla; shumëzohet me fidanë. P. është me prejardhje nga Azia dhe pellgu i Mesdheut i përhapur në shumë vende të botës. Në Shqipëri P. rritet në të gjitha krahinat, më i përhapur është tipi i gjatë, prej të cilit më shumë mbillet P. i Kasharit, me këreell të bardhë deri 70 cm të gjatë, i shijshëm dhe me rendiment të lartë. I përhapur është edh’e P. i Luzit, dallohet për qëndrueshmëri ndaj të ftohtit, është më i shkurtër dhe më djegës. Përdoret gjerësisht i freskët. në gjellë, i tharë etj. P. ka vlera ushqyese, përmban sheqerëra, kripëra minerale, vitamina C, fitoncide etj.

(A.Ok.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Preshi


[cite]