AIESEE
✤ (Association Internationale d’Etudes du Sud-Est Europëen — Snoqata Ndërkombëtare e Studimeve për Evropën Juglindore). Organizatë shkencore ndërkombëtare, që merret me studimin e historisë, të gjuhëve e të kulturës së popujve të Evropës Juglindore dhe që e zhvillon veprimtarinë e saj në lidhje me UNESCO-n e me Këshillin Ndërkombëtar të Filozofisë e të Shkencave Humanitare (C. I.P. S. H.). U themelua më 1963 nga përfaqësuesit e shkencave humanitare të vendeve ballkanike dhe të disa vendeve të tjera që kanë institucione të posaçme ballkanologjike. Drejtohet nga një Komitet Ndërkomhëtar dhe përfshin në gjirin e vet disa komisione shkencore për fusha të veçanta. Sekretariati i Përgjithshëm e ka selinë në Bukuresht, ku botohet edhe një revistë e posaçme si organ i saj. Përfaqësuesit e Shqipërisë marrin pjesë në organet drejtuese të AIESEE-së që nga themelimi i saj. Nga një studiues shqiptar drejtohet Komisioni shkencor i AIESEE-së për folklorin. AIESEE-ja organizon kongrese ndërkombëtare (1966 — në Sofje, 1970 — në Athinë, 1974 — në Bukuresht, 1979 — në Ankara, 1984 — në Beograd) dhe simpoziume e kolokiume shkencore. Studiuesit shqiptarë kanë marrë pjesë në të gjitha kongreset e në veprimtari të tjera të AIESEE-së, duke dhënë ndihmesë të veçantë sidomos për të bërë të njohura arritjet e shkencës marksiste shqiptare për historinë, gjuhën e kulturën e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të Ballkanit.
(An. K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Aiesee
[cite]