AKSIONET PËR ÇLIRIMIN E ÇOROVODËS
✤ (Gusht-Dhjetor 1942). Një varg luftimesh sulmuese të çetave partizane dhe të popullit ta krahinës së Skraparit që përfunduan me çlirimin e qytetit të Çorovodës (qendër e nënprefekturës) dhe të gjithë “krahinës së Skraparit nga pushtuesit fashistë e tradhtarët. Filluan me rrethimin, kapjen dhe çarmatimin e plotë të një kompanie milicësh më 31.8.1942 në fshatin Mëlovë dhe vazhduan me intensitet të madh sidomos më 3,4 e 5 shtator kundër forcave fashiste prej rreth 1000 milicësh e karabinierësh të komanduara nga një kolonel, që synonin të spastronin krahinën nga partizanët dhe të shkatërronin Lëvizjen NÇ. Ato u kurorëzuan me sukses të plotë me> elirimin e Çorovodës më 5 shtator, që përbënte një fitore të madhe të Luftës ANÇ në fillimin e kryengritjes së përgjitijshme të armatosur.
Pas kësaj humbjeje armiku ndërmori një operacion me forca më të shumta për të ripushtuar Çorovodën dhe për të rivendosur në tërë krahinën e Skraparit regjimin e pushtimit. Pasi hynë në Çorovodë, forcat fashiste, nën komandën e gjeneralit Volante, prej 11 deri 13 shtator, sulmuan në mënyrë bashkëqendrore, por nuk mundën të realizonin synimet e tyre. Luftime të ashpra zhvilluan partizanët kundër forcave fashiste sidomos më 15 shtator në të gjitha drejtimet dhe pasi manovruan me sukses, shkëputën kontaktin me armikun, duke iu shmangur rrethimit, dhe organizuan goditje të vazhdueshme herë me grupe -e herë të shkoqur kundër armikut që kishte krijuar epërsi të madhe në njerëz e në material luftarak. Këto veprime e hutuan armikun dhe si rrjedhojë, në shumë raste, manovra dhe sulmi i tij . dështonin pa filluar veprimet. Vendosmëria e trimëria e forcave partizane veçanërisht në luftimet që u zhvilluan në Gradec, në Malin e Mollasit, në Qafën e Devries dhe në .atë të Prosekut e lodhën armikun dhe bënë që operacioni i tij të zvarritej së tepërmi dhe të mos jepte përfundimet e dëshiruara. Në mbarim të shtatorit pushtuesit fashistë u detyruan të largo3ien nga e tërë krahina e Skraparit, duke lënë formalisht vetëm në qytetin e Çorovodës një detashment të milicisë.
Veprimet sulmuese të çetave partizane të krahinës së Skraparit vazhduan pa ndërprerje edhe gjatë tetorit e nëntorit 1942. Ato në muajin dhjetor vendosën të asgjësonin detashmentin fashist të Çorovodës për të spastruar përfundimisht edhe qendrën e nënprefekturës nga pushtuesit e tradhtarët. Në këto luftime morën pjesë dy çeta partizane dhe disa çeta vullnetare territoriale. Garnizoni i Çorovodës përbëhej prej 60-70 karabinierësh, ndërsa qark zonës ishin postat ushtarake me ■30-50 karabinierë. Më 1 dhjetor Çeta e Parë e Skraparit dhe çeta territoriale e zonës sulmuan në afërsi të Kuçovës dhe Beratit për të mashtruar armikun për drejtimin e goditjes kryesore dhe për ta mbajtur atë të gozhduar në qytet. Çeta -e Dytë e Skraparit me çetat vullnetare territoriale nga data 3 deri më 6 dhjetor spastruan njëra pas tjetrës postat e karabinierisë në rrethinat e Çorovodës. Më 7 dhjetor garnizoni i Çorovodës u sulmua dhe u detyrua të dorëzohej. U zu një sasi e madhe armësh dhe munieionesh.
Më 11 dhjetor armiku ndërmori në disa drejtime një operacion në shkallë të gjerë, i mbështetur edhe nga aviacioni. Operacionin e drejtonte komandanti i përgjithshëm i karabinierisë, gjenerali Silvio Robino. Më 14 dhjetor fashistët ■e ripushtuan Çorovodën, por pas dy ditësh u rrethuan dhe u sulmuan përsëri nga çetat partizane: Kolonat e armikut u vunë në goditje të pareshtura, të bashkërenduara me veprimtarinë e njësiteve guerile në Berat dhe Lushnjë. Partizanët rrëzuan dhe dy aeroplanë të armikut. Goditjet e pandërprera të çetave partizane i detyruan fashistët italianë nga fundi i dhjetorit të largohen me disfatë. Çorovoda u çlirua përfundimisht dhe u bë një nga bazat më të rëndësishme të Luftës ANÇ.
(M. II.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Aksionet Për Çlirimin E Çorovodës