AKSIONI I SNOSËM—BULÇARIT


AKSIONI I SNOSËM—BULÇARIT
✤ (31.1.-2.2.1943). Aksion i përbashkët i disa çetave partizane për të likuiduar postëkomandën e karabinierisë fashiste të Snosmit me qëllim që të spastrohej e tërë zona e Vërçës (Gramsh) nga pushtuesit fashistë. Në agim të 31 janarit, çeta partizane e Mokrës rrethoi postëkomandën e Snosmit, rrethimi u ngushtua më 1 shkurt me mbështetjen e çetës së Gorës, të dy çetave të Oparit dhe të shumë vullnetarëve fshatarë, gjithsej 220 veta. Në ndihmë të karabinierëve të rrethuar erdhi një kompani e Regjimentit të 343-të të ushtrisë italiane me 200 ushtarë. Komanda e përbashkët e çetave partizane, me një pjesë të forcave mbajti të bllokuar Snosmin, ndërsa me pjesën më të madhe të forcave zuri pritë në afërsi të fshatit Bulçar. Armiku u la të futej i tëri në pritë dhe pastaj u godit me zjarr. Pas 8 orë e gjysmë luftimesh në pritë, ushtarët italianë u dorëzuan dhe më pas u dorëzua edhe posta e Snosmit. Në duart e partizanëve ranë 178 robër, u kapën shumë armë dhe material tjetër luftarak. Nga forcat partizane ranë dy dëshmorë. Spastrimi i Vërçës e zgjeroi zonën e çliruar që përfshihej midis Korçës, Pogradecit dhe Elbasanit, si rrjedhojë u krijuan më shumë mundësi për manovrimin e forcave partizane. Këtë fitore të partizanëve «Zëri i popullit» në shkurt 1943 e vlerësonte si një nga sukseset më të bujshme.

(M.Il.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Aksioni I Snosëm—Bulçarit


[cite]