AMFIBËT

  FESH


AMFIBËT
✤ (Amphibia). Kafshë kërbishtore, që një pjesë të jetës e kalojnë në ujë dhe pjesën tjetër në tokë. Kanë temperaturë të paqëndrueshme, lëkurë të zhveshur e të lagët, 4 gjymtyrë të pajisura zakonisht me pesë gishtërinj. etj. Kur janë larva, marrin frymë me branki, kur rriten marrin frymë me mushkëri e lëkurë. Njihen afër 2000 lloje, të përhapura pothuajse në të gjitha kontinentet, veçanërisht në viset tropikale me ujëra ose të lagëta. Ndahen në A. me bisht (Caudata) e në A. pa bisht (Ecaudata) etj. Në Shqipëri A. ndeshen përgjithësisht në gjithë truallin duke filluar nga zonat e ulëta bregdetare gjer në zonat malore. Ndër A. me bisht vlen të përmenden e bukura e dheut (Salamandra salamandra, L), tritoni i zakonshëm (Triturus vulgaris, L), tritoni i alpeve (Triturus alpestris, Laur.) që është i përhapur në zonat e larta malore sidomos të Shqipërisë së V etj. Ndër A. pa bisht janë të përhapura bretkosa e zakonshme dhe bretkosa e pyllit (shih Bretkosa), thithlopa e zakonshme dhe thithlopa e gjelbër. A. janë kryesisht insektengrënës dhe si të tillë janë të dobishëm për bujqësinë. Disa prej tyre përdoren për ushqim, si dhe për kërkime eksperimentale sidomos në fushën e zoologjisë e të fiziologjisë. Me studimin e A. merret Katedra e zoologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të UT dhe për ta janë bërë disa botime.

(I.Ha.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Amfibët



Enciklopedia Shqiptare | Albanian Encyclopedia → "AMFIBËT":

Cito
Lidhje - URL/LINK: https://wiki.shqipopedia.org/amfib%c3%abt
"AMFIBËT," tek Enciklopedia Shqiptare
____________________________

§ Shqipopedia © - Enciklopedia shqiptare
2013 - 2018