ARBËRESHËT E ITALISË


ARBËRESHËT E ITALISË
✤ Banorët e ngulimeve shqiptare që u vendosën në Italinë e Jugut në shek. XV e më pas. Pas pushtimit osman, valë të popullsisë shqip„tare braktisën mëmëdheun për të mos rënë në robëri. Numri i të shpërngulurve llogaritet të ketë qenë rreth 200 mijë veta. Një pjesë e vendosur në V të Italisë në zotërimet venedikase, gjatë kohës u shkri. Të mërguarit nga Shqipëria Qendrore e Jugore u vendosën në tokat e mbretërisë së Napolit, ku iu caktuan vendbanime në Sicili, Kalabri, në krahinat e Bazilikatës, Kapitanatës, Puljes, të Molizes etj. Këtyre iu shtuan pas v.1532, të mërguar arbëreshë të ardhur nga Moreja. Valët e fundit të dyndjeve shqiptare arritën deri në fund të shek. XVII. Tokat në përgjithësi të ashpra e shterpe që iu dhanë të mërguarve, këta me punë të palodhur i kthyen në toka buke, të ardhurat kryesore të të cilave shkonin në dohi të pronarëve feudalë. Gjithsej u krijuan rreth 80 fshatra arbëreshe. Ngulimet arbëreshe gjenden sot në tri zona: në afërsi të Palermos fshatrat Hora e arbëreshëve (Piana degli albanesi) me 10 mijë banorë dhe Palazzo Adriano; në Kalabri fshatrat rreth Kozeneës: Ungër (Lungro), Frashnit (Frascineto), Specano albaneze, Shën Mitër i Koronës etj., ndërsa fshatrat -rreth qytetit Katancaro dhe ato të krahinave të tjera përbëjnë ishuj të shpërndarë e të veçuar.

Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën deri në ditët tona gjuhën e kulturën e vet, si dhe kultin e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për këtë luajtën rol të rëndësishëm edhe traditat e tyre të mëdha luftarake, edhe kontradiktat e thella që ata kishin me baronët feudalë italianë dhe me kishën e latine të Romës, që donte t’i nënshtronte juridiksionit të vët. Një rol luajtën edhe shkollat si Kolegji italo-shqiptar i Palermos dhe Kolegji i Shën Adrianit (shih) ne Kalabri, të themeluar në gjysmën e parë të shek.XVIII.Nga gjiri i tyre dolën një varg shkrimtarësh dhe njerëzish të ditur, të cilët dhanë ndihmesë të madhe për lëvrimin e gjuhës popullit dhe për njohjen e historisë së tij. Sidomos Kolegji i Shën Adrianit me qendër në Shën Mitër të Koronës u bë një vatër ku u rritën breza të tërë të inteligjencies patriotike e demokratike arbëreshe të cilat u shquan edhe në lëvizjen revolucionare italiane, por edhe si mendimtarë e shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si zëdhënës të saj kundrejt botës së jashtme me anë të organeve të shtypit të tyre. (Shih. Letërsia e arbëreshëve të Italisë).

Ndonëse ndryshimet e mëdha ekonomiko-shoqërore bashkëkohëse dhe shpërnguljet për punë jashtë vendit i kanë gërryer, kolonitë arbëreshe po përjetojnë sot një zgjim të shënuar të ndërgjegjes së tyre dhe një rxitje të veprimtarisë në fushën e kulturës. Dëshmi për këtë janë një varg revistash në gjuhën letrare shqipe, në të cilën ata kanë aderuar duke nënshkruar vendimet e Kongresit të Drejtshkrim.it (shih). Arbëreshët po bëjnë sot përpjekje për të siguruar të drejtën për mësimin e gjuhës amtare në shkollat fillore të komunave të tyre. Ata mbajnë lidhje të vazhdueshme me vendin mëmë, fitoret e të cilit i ridjekin me vëmendje e dashuri.

Bashkë me gjuhën amtare, që ka tipare arkaike (shih Të folmet arbëreshe), kolonitë arhëreshe ruajnë deri në ditët e sotme doket e zakonet, traditat e lashta në fushën e kulturës materiale e shpirtërore që na japin mundësinë të njohim nëpërmes tyre një pjesë të kulturës sonë popullore të shek. XV. Dallohen sidomos kostumet popullore të grave me bukuritë e pasuritë e stolisjeve të tyre, folklori i pasur me poezinë epike heroike, në të cilën ruhet i gjallë deri në ditët tona kujtimi i luftërave legjendare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Në zakonet e dasmës e të lindjes, në festat popullore, në këngët, lojërat e vallet që i shoqërojnë, ruhet ende një numër i madh elementesh e dukurish që janë të ngjashme me ato të mëmëdheut. Ato dëshmojnë për njësinë kulturore etnike të trungut të kombësisë shqiptare, nga i cili arbëreshët u shkëputën para shumë shekujsh, pa humbur dashurinë e lidhjet gjithmonë të gjalla me mëmëdheun e tyre të lashtë.

(K.X.-K.Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Arbëreshët E Italisë


[cite]