ANONIMI TIVARAS
✤ Është quajtur kështu autori i panjohur i një vepre me titull «Histori e Skëjnderbeut» që paska qenë botuar në Venedik më 1480; do të ishte kjo biografia më e vjetër dhe më afër kohës së heroit. Vepra nuk njihet, i vetmi që e përmend është historiani italian Xhamaria Biemi i sbek.XVIII, i cili pretendon se kishte gjetur një ekzemplar të vetëm e mjaft të cunguar, prej të cilit citon pasazhe mjaft të gjera. Sipas tij autori i veprës ishte një shqiptar prej Tivari, vëllai i të cilit paska shërbyer si oficer në ushtrinë e Skënderbeut. Për pasurinë e të dhënave, Biemi e cilëson këtë vepër si një burim që qëndroka mbi veprën e M.Barletit (shih). Për këtë arsye A. T. u përdor si burim bazë nga një varg historianësh, midis tyre F. S. Noli më 1921.
Kritika moderne historiografike (F. Babinger, F.Pall), ka dhënë arsye të rëndësishme për të.mohuar ekzistencën, autenticitetin dhe vlerën e A.T. Në fakt të dhënat specifike — emra personash, vendesh, ngjarje — që jep A.T. suk sjellin asgjë të re në krahasim me Barletin, siç duhej pritur prej një pjesëmarrësi të afërt të ngjarjeve; përkundrazi, mjaft nga këto të dhëna janë marrë nga Barleti dhe burime të tjera të kohës, duke i shtrembëruar, kurse shumë të tjera janë krejt të trilluara. Më në fund kritika vërtetoi se Biemi, i pretenduari zbulues i A.T., është një falsifikues profesionist, i cili ka bërë një punë analoge si gjoja zbuluesi i disa kronikave mesjetare italiane. Në bazë të këtyre rezultateve, A.T. e të dhënat që mbështeten tek ai, duhen mënjanuar nga burimet e historisë së Skënderbeut.
(A.Bu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Anonimi Tivaras