Arra
Arra
(latinisht: Juglans regia, familja Juglandacae)
Përdorimi:
Droga përbëhet nga gjethet e thara të arrës. Ajo ndeshet edhe në gjendje të egër, sidomos në luginat e Alpeve, në Martanesh etj. Gjethet e arrës janë rrudhëse, hipoglicemizuese, antileukoreike etj. Shton sekretimin e lëngut të stomakut; përmirëson oreksin, rrudh mukozat e lëkurës, ngushton arteriet etj. Përdoret në dispepsi; acarime të aparatit tretës, në hemorragji etj. Meqenëse ndihmon në mjekimin e indeve të dëmtuara, disa autorë këshillojnë kombinimin e terapisë antibiotike specifike (të turbekulozit) me preparatet e gjetheve të arrës. Përdoret në formë lavazhi kundër morthit, acarimeve të rrugëve gjenitale, ekzemës, puçrrave etj. Si gargarë përdoret kundër acarimeve të fytit.
Përgatitja:
Një lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhet në një gjysmë gote ujë të sapozier, lihet 15 minuta, pastaj kullohet dhe pihet gjatë ditës. Përdoren 3 doza të tilla në ditë. Në plagë me procese qelbëzimi, në sëmundje të lëkurës këshillohet aplikimi i banjave me çaj që fitohet duke zier 8-10 gr gjethe në 100 gr ujë. Banjat këshillohen edhe për të pakësuar djersitjen e këmbëve. Arrës i përdoren edhe lëvozhgat jeshile të thara, të cilat përmbajnë tanine, juglon etj., në sajë të vetive antiseptike dhe keratenizuese ato shfrytëzohen në dermatoza të ndryshme. Çaji i përgatitur duke zier 20 gr lëvozhga në 1 l ujë dhe i pirë në dozën 2-3 gota në ditë pas ngrënies përdoret tek anemitë. Ekstrakti i mishit të frutit të papjekur të arrës ka veti insekticide.
Burime, referenca dhe shënime:
✤ Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ H. Zell – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=10528124